Paralajmërimi: Ja ‘patatja’ e nxehtë që mund ta djegë qeverinë e re

  • 11 January 2020 - 07:32
Paralajmërimi: Ja ‘patatja’ e nxehtë që mund ta djegë qeverinë e re

“OVL -ja si duket paska rra në kurth politik, OVL-ja si organizatë e veteranëve të UÇK-s do të duhej të qëndroj neutrale, e jo të bjer në kthetrat e atyre që e shkatërruan Kosovën që nga viti 2000, kurse e kaluara është e dyshimtë për disa nga ata edhe për periudhën e paraluftës dhe gjatë luftës” , thotë Grapci për “Kosova Sot Online”.

Në prag të arrestimeve të para nga Gjykata Speciale, OVL e UÇK-së përsëri ka dhënë paralajmërimin se do të ketë protesta nëse Specialja fillon me arrestime, tash kur është një numër i madh të intervistuarve nga dhomat e specializuara të prokurorisë speciale.

Bazuar në këto paralajmërime, analisti politik, Dardan Grapci konsideron se veprimi i Gjykatës Speciale do të jetë edhe një patate e nxehtë që mundë ta rrezikojë dhe ta “djeg” edhe qeverinë e re të Kosovës.

Image
Dardan Grapci

“Pasi që arrestimet e figurave me ndikim në politike mundë të jenë një tërmet që do ta shemb shumë shpejtë edhe qeverinë e koalicionit LVV-LDK, për faktin se në krahun e kundërshtimit të arrestimeve nga Gjykata Speciale, fare lehtë mundë të pozicionohet edhe blloku opozitar i krahut të luftës nga tre subjektet politike, PDK-AAK dhe NISMA. Paralajmërimet e tilla, kërcënimet, ka gjasa reale që të sjellin tensionim të situatës politike me fillimin e arrestimeve nga Specialja, sepse pikërisht OVL-ja tani mundë të përdoret nga arteret politike, për të arritur qëllimet e tyre”, thotë Grapci për “Kosova Sot Online”.

Sido qoftë, Grapci iu bënë thirrje të gjitha organizatave të dala nga lufta që të mos bien pre e disa individëve të caktuar brenda politikës për ta destabilizuar vendin, pasi që është i sigurt që Gjykata Speciale do të gjykojë drejtë, dhe nuk do të njolloset lufta e drejtë e UÇK-së, por do të ndiqet e penalizohet ndonjë individ i cili i ka shkelur ligjet e luftës, pavarësisht nëse e ka bërë këtë në dëm të shqiptarëve apo të komuniteteve të tjera etnike.

“Unë mendoj që OVL-ja do ishte mirë që të mos përzihet fare në punët e Gjykatës Speciale, në fakt OVL e UÇK-s është dashur që të krenohet apo ti gëzohet këtij fakti që është themelua kjo Gjykatë, që përfundimisht do ta pastron luftën e drejtë të UCK-së, prandaj unë do të kërkoja që ky proces të kalon tërësisht në qetësi, kurse secilit individ që ftohet nga Gjykata Speciale të shkojnë pa frikë atje dhe ta dëshmoj secili pafajësinë e tij dhe ta mbroj luftën e drejtë të UCK-së”, shton Grapci për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Grapci mendon se OVL-ja po tentohet të keqpërdoret nga individë të caktuar brenda politikës së inkriminuar, prandaj nuk duhet ta bjerë në gracka të tilla.

“OVL -ja si duket paska rra në kurth politik, OVL-ja si organizatë e veteranëve të UÇK-s do të duhej të qëndroj neutrale, e jo të bjer në kthetrat e atyre që e shkatërruan Kosovën që nga viti 2000, kurse e kaluara është e dyshimtë për disa nga ata edhe për periudhën e paraluftës dhe gjatë luftës. Gjykata Speciale duhet ti përfundoj këto hetime, e kurrsesi të pengohet apo të ndërpritet, prandaj ju bëj thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos hyjnë në valle me kriminelët e Kosovës duke dal në protesta kundër Speciales, por le të dalin në protesta në ato raste kur ju shkelen të drejtat që i kemi si qytetarë të Kosovës dhe ato po na cenohen çdo ditë, çdo orë e çdo minutë” , shprehet Grapci për “Kosova Sot Online”.

Në përkrahje të Gjykatës Speciale, sipas Grapcit duhet të deklarohet edhe qeveria e re nëse arrin të ndërtohet nga LVV dhe LDK, proces që do të duhej përmbyllur sa më shpejtë për të pamundësuar rikthimin e sërishëm të PAN-it në kapjen e shtetit.

“Koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së e cila ende është duke i zvarritur punët për krijimin e Qeveris së re, por edhe ky koalicion nëse formohet së shpejti duhet me përkrahë haptas punën pozitive që po e bënë Gjykata Speciale, si dhe duhen që sa më shpejtë ta krijojnë Qeverinë, e jo të bëjnë fërkime pa lidhje në sy të popullit, dhe para bashkësisë ndërkombëtare, por të jenë të matur dhe të kenë pak respekt për popullin, se nëse kërkohet që të mbahen zgjedhjet e reja, kam frik se koalicioni PAN, do i merr ulëset e Qeverisë përsëri, duke shfrytëzuar përçarjet dhe dobësitë në mes të LVV-së dhe LDK-së”,përfundon analisti politik, Dardan Grapci për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)