Ramabaja: “Syrin e Popullit” e krijuan Thaçi e Veseli, ja pse

  • 16 January 2020 - 17:55
Ramabaja: “Syrin e Popullit” e krijuan Thaçi e Veseli, ja pse

I akuzuari në rastin e “Syrit të Popullit”, Sadri Ramabaja, ka thënë se kjo organizatë është e krijuar nga Shërbimi Informativ i Kosovës, nga presidenti Hashim Thaçi e ish-kryeparlamentari Kadri Veseli.

Në deklaratën e tij në seancën përfundimtare, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se ky proces tregon se “shteti është kundër Vetëvendosjes”.

Ai ka akuzuar presidentin Thaçi për shpifje në kohën kur kishte dhenë deklaratën e tij si dëshmitar në këtë proces. Procesin e ka quajtur të montuar politikisht e për motive hakmarrëse.

“‘Syri i Popullit’ është krijuar nga SHIK-u, nga Thaçi e Veseli të cilët në Kosovë më shumë njihen si klani ‘Pronto’. Intenca që ta lidhin me Vetëvendosjen tregon shumë. Unë me bindjen time mbetem socialdemokrat ashtu besoj se do të mbetet edhe Vetëvendosje. Ndërsa ky proces i cili u tha se është shteti kundër ‘Syrit të Popullit’ më shumë po del të jetë si shteti kundër Vetëvendosjes”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se “heshtja e VV-së ishte ajo që e ka goditur më së shumti pas këtij rasti”.

Avokati i Ramabajës: Thaçi tregoi botërisht se aktakuza ndaj “Syrit të Popullit” është e tij

Avokati Ramiz Krasniqi, i cili mbron të akuzuarin Sadri Ramabaja, në seancën përfundimtare në rastin “Syri i Popullit”, ka thënë se lejimi që presidenti Hashim Thaçi në cilësinë e dëshmitarit të merrte në pyetje Ramabajën tregon që kjo aktakuzë është e tij dhe e montuar.

“Ky proces gjyqësor do të mbahet mend si proces i parë pas luftës, i pastër me motive politike, ku erdhën për të dëshmuar krerë të pushtetit dhe jo për të dëshmuar siç i obligon ligji”, ka thënë Krasniqi duke numëruar “shkeljet që ka lejuar gjykata gjatë procesit”.

Sipas Krasniqit, Gjykata ka bërë shkelje edhe duke mbyllur seancën në rastin e marrjes në pyetje të presidentit Hashim Thaçi, “të cilit gjykata në kundërshtim me ligjin i kishte lejuar ta marrë vetë në pyetje në mënyrë të drejtpërdrejtë të akuzuarin Ramabaja”.

“Hashim Thaçi e tregoi botërisht se kjo aktakuzë është e tij dhe se ky proces është i montuar politikisht”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)