Ndizet alarmi i ri për Kosovën, VV dhe LDK ia lënë duart e lira Hashim Thaçit

  • 17 janar 2020 - 07:46
Ndizet alarmi i ri për Kosovën, VV dhe LDK ia lënë duart e lira Hashim Thaçit

“Pavarësisht afateve kohore, kur rifillon dialogu Beograd-Prishtinë, një gjë është më se e sigurt, se skenarët do të jenë të njëjtë, ata të ndarjes së Kosovës sipas orekseve serbe, sikurse që është e sigurt që ditën kur i skadon mandati i presidentit Thaçi në vitin 2021, askush nuk do të merret tutje me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, pasi që ai do të jetë një kapitull i mbyllur, ose thënë edhe më qartë, "peshkun në pjatë" Serbia do ta merr para vitit 2021”, thotë analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrel ka kontaktuar të mërkurën në telefon presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe me atë serb, Aleksandër Vuçiq ku ka theksuar nevojën që këto dy vende të rifillojnë dialogun.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Borrell, ka folur me ta për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Serbi dhe gjithashtu rëndësinë e punës për rifillimin e bisedimeve Beograd-Prishtinë.

E analisti politik, Florim Zeqa, duke e parë situatën e re të krijuar dhe nxitimin e Borrelit për ta rifilluar dialogun, vlerëson se ky është një alarm serioz për Kosovën , pasi me këtë po dëshmohet që edhe më tej Thaçi pritet të jetë aktori kyç në bisedimet me Serbinë, tash kur partitë fituese të zgjedhjeve nuk po arrijnë ta bëjnë qeverinë dhe e zvarritën atë tej mase.

Në këtë mënyrë, sipas Zeqës ato nuk po e përmbushin as zotimin që procesin e dialogut ta udhëheq Qeveria e re, dhe jo Presidenti sikur ishin zotuar në fushatë.

Image
Florim Zeqa

“Përderisa fituesve të zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar nuk po ju ngutet për krijimin e qeverisë, kreu diplomacisë evropiane, Josep Borrel ka ndezur motorët për rifillimin e bisedimeve Beograd-Prishtinë. Biseda telefonike e Borrelit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe atë serb Aleksandër Vuçiq, përveç aspektit të përgjithshëm të zhvillimeve politike, në plan të parë kishte rifillimin e shpejtë dhe pa kushte të dialogut mes dy vendeve. Ky nxitim i përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është një alarm i rrezikshëm për Kosovën. Kjo është dëshmi se edhe më tej Thaçi pritet të jetë aktori kyç në bisedimet me Serbinë. Ndryshe, kjo është një goditje e rëndë për Kurtin, i cili ka thënë se dialogun do ta udhëheqë ai si kryeministër”, thotë analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Madje sipas Zeqës, zvarritja, mbase edhe dështimi për koalicionin qeverisës LVV- LDK, është edhe një dështim dhe mashtrim ndaj elektoralit, të cilit LVV dhe LDK i kishin premtuar se do ta shkarkojnë Hashim Thaçin edhe nga pozita e presidentit për shkak të shkeljes së kushtetutës në bisedimet me Serbinë, kurse tani nuk po arrijnë as të akordohen për formimin e qeverisë, duke shpërfaqur egon e madhe të luftës për pushtet.

E kjo luftë mes tyre, sipas Zeqës ia lë mundësinë e lirë Hashim Thaçit që ta vazhdon dialogun dhe pazaret me Serbinë.

“Për më tepër se kaq, kjo është papërgjegjësi absolute e Albin Kurtit dhe Isa Mustafës që mashtruan elektoratin në zgjedhje, me premtimin bazik për shkarkimin e Hashim Thaçit Ndërsa, tani të njëjtit betejën kryesore e kanë përqendruar, jo në shkarkimin e presidentit, por në vazhdimësinë e këtij posti pas skadimit të mandatit kushtetues të presidentit në vitin 2021. Sikurse Albin Kurtit, ashtu edhe Isa Mustafës nuk është duke i interesuar fare fati i vendit, por po ia lënë duart e lira Vetëvendosje dhe LDK-ja Thaçit që të vazhdojë edhe më tej bisedimet me Serbinë, pavarësisht se vendi është pa qeveri. Pavarësisht afateve kohore, kur ri-fillon dialogu Beograd-Prishtinë, një gjë është më se e sigurt, se skenarët do të jenë të njëjtë, ata të ndarjes së Kosovës sipas orekseve serbe, sikurse që është e sigurt që ditën kur i skadon mandati i presidentit Thaçi në vitin 2021, askush nuk do të merret tutje me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, pasi që ai do të jetë një kapitull i mbyllur, ose thënë edhe më qartë, "peshkun në pjatë" Serbia do ta merr para vitit 2021”, përfundon analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)