Kina do ta ndalojë përdorimin e qeseve të plastikës

  • 20 janar 2020 - 09:10
Kina do ta ndalojë përdorimin e qeseve të plastikës

Njëra prej shteteve ku përdoret më së shumti plastika, Kina, e ka publikuar një plan të madh për zvogëlimin e produkteve të plastikës që shërbejnë për vetëm një përdorim.

Qeset jodegradibile (të pazbërthyeshme) do të largohen nga përdorimi në qytetet kryesore duke filluar nga fundi i këtij viti, ndërsa një gjë e tillë do të ndalohet në të gjitha vendet në vitin 2022.

Restorantet gjithashtu do ta kenë të ndaluar përdorimin e pipëzave për një përdorim duke nisur nga pjesa e fundit e vitit 2020.

Kina për një kohë të gjatë është duke u përballur me problemin e mbeturinave të shumta që krijohen nga popullsia prej 1.4 miliardë banorësh.

Deponia më e madhe e mbeturinave në këtë vend, e cila ka sipërfaqe të barabartë me 100 fusha të futbollit, tashmë është mbushur, ndonëse ishte planifikuar të përdorej edhe për 25 vjet të tjerë.

Vetëm gjatë vitit 2017, në Kinë janë mbledhur 215 milionë tonë mbeturina nga sektori i amvisërisë. Në anën tjetër, nuk dihet se sa prej tyre janë ricikluar.

Kina krijoi më së shumti mbeturina të plastikës në vitin 2010, plot 60 milionë tonë, ndërsa në vendin e dytë u renditën Shtetet e Bashkuara me 38 milionë tonë.

Kjo nuk është fushata e parë kundër mbeturinave të plastikës në Kinë. Në vitin 2017, importuesi më i madh i këtyre mbeturinave njoftoi se do ta ndërpresë blerjen e tyre nga vendet e tjera, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)