Ja kush e thotë: VV dhe LDK në udhëkryq, koalicion apo qeveri teknike?

  • 27 January 2020 - 16:03
Ja kush e thotë: VV dhe LDK në udhëkryq, koalicion apo qeveri teknike?

“Unë mendoj që ka ardhur momenti kyç që partitë të bashkohen në koalicion, LVV dhe LDK, që urgjentisht ta krijojnë Qeverinë, dhe mos të vonohen, ndryshe le të deklarohen për qeverisje teknike të gjithë përfshirjes, nëse nuk kanë gatishmëri ta bëjnë qeverinë e premtuar sipas vijave të kuqe, vetëm LVV dhe LDK”, thotë Grapci për “Kosova Sot Online”.

Analisti i fushës së ekonomisë, dhe njohës i zhvillimeve politike në vend, Dardan Grapci, thotë kjo javë është vendimtare për të ardhmen e vendit në aspektin e zhvillimit e ekonomik dhe të përpjekjeve për reforma në sundimin e ligjit.

Sipas Grapcit, me këtë krizë të krijuar pas dorëheqjes së qeverisë dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja, Kosova ka shënuar një ngecje të pa riparueshme në të gjitha fushat, prandaj për ta sanuar sado pak këtë mbetje mbrapa, shpresat janë tek marrëveshja mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, që sipas Grapcit pritet të arrihet këtë javë.

Image
Dardan Grapci

“LVV dhe LDK janë duke hyrë në javën vendimtare për te arritur koalicionin qeverisës, por nëse ndodhë që edhe në këtë javë të dështojnë, atëherë duhet që me çdo kusht të formohet Qeveria Teknike ku do të merren edhe disa vendime të duhura, të shpejta, për shkak se vendi është duke shkuar në një rrugë të pa krye, me një krizë të thellë politike dhe ekonomike”, thotë Grapci për “Kosova Sot Online” .

Sipas Grapcit, në cilin do variant që këto subjekte politike aktivizohen tani në qeverisje të vendit, qytetarët nuk do jua japin atë besimin që e kishin në fillim të fushatës zgjedhore dhe para saj, pasi sipas tij, premtimet i morri era, kurse vendi pa qeveri funksionale po rrezikohet dita ditës për shkak të egos së madhe për pushtet.

“LVV-ja gjatë fushatave parazgjedhore dhe atyre zgjedhore të vitit 2019, jepte premtime bombastike, shumë të mëdha, ku njëra ndër ato ka qenë edhe formimi i tepër i shpejtë i Qeverise, dhe ky premtim doli mashtrimi i parë i madh ndaj atyre që e votuan këtë subjekt politik. Tash po shihet që zhgënjimi dhe mashtrimi është i madh. Votuesit që ia kanë premtuar votën Albin Kurtit, po dalin të zhgënjyer dhe të mllefosur për mos arritjen një marrëveshje me LDK-në dhe ata po flasin hapur. Duke qenë kështu, edhe nëse bëhet një koalicion në orën e fundit, nuk do të jetë koalicion i besës dhe i shpresës, por i interesit për përfitime politike e klienteliste”, thekson Grapci për “Kosova Sot Online”.

Sipas Grapcit, kjo javë duhet t’i kthejë zhvillimet në drejtimin e duhur, ose qeveri të koalicionit LVV-LDK, ose qeveri teknike me buxhet të miratuar deri në zgjedhjet e reja. 

“Unë mendoj që ka ardhur momenti kyç që partitë të bashkohen në koalicion, LVV dhe LDK, që urgjentisht ta krijojnë Qeverinë, dhe mos të vonohen, ndryshe le të deklarohen për qeverisje teknike të gjithë përfshirjes, nëse nuk kanë gatishmëri ta bëjnë qeverinë e premtuar sipas vijave të kuqe, vetëm LVV dhe LDK. Situata po tensionohet, me këto vonesa sepse populli është ai që po mbet peng i shumë çështjeve problemore që po grumbullohen siç janë rrezikimi i pagave, pensionet, ndihmat sociale dhe mbi të gjitha projektet e mëdha që po mbeten pa planifikim buxhetor, kurse ato që janë duke vazhduar, rrezikojnë të ndërpriten deri në zgjedhjet tjera. Prandaj nëse ndodhë e kundërta, nuk arrihet marrëveshja në fillim të kësaj jave, atëherë më së voni në fillim të shkurtit duhet të krijohet Qeveria teknike”, përfundon analisti Dardan Grapci për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)