Fenomeni që po heshtet, alarmohen rëndë Kosova dhe Shqipëria

  • 05 February 2020 - 07:34
Fenomeni që po heshtet, alarmohen rëndë Kosova dhe Shqipëria

“Këto trendë të zbrazjes së shtetit, me lëvizje drejtë vendeve të BE-së, e kanë prekur edhe Kosovën, prej nga qytetarët po largohen edhe në mënyrë legale, me sigurimin e leje qëndrimit dhe punësimit të rregullt, por edhe në mënyrë ilegale nëpërmes rrjeteve të trafikantëve të ndryshëm”, thotë Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Një raport i publikuar nga instituti ndërkombëtar i Statistikave, Eurostat, ka zbuluar shifra shqetësuese për braktisjen dhe zbrazjen e trojeve shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë nga qytetarë të këtyre dy vendeve që po migrojnë në vendet perëndimore dhe nuk mendojnë të kthehen dhe krijojnë jetë e familje në shtetin e tyre amë.

E lidhur me këtë fenomen, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti politik, Ragip Guraziu.

Sipas tij, është tepër shqetësues ky raportim, i cili sipas tij, zbulon të vërtetën e dhimbshme se si po ndodhë zbrazja e trojeve shqiptare në kohë të paqes, derisa nuk u arrit asnjëherë të ndodhë në kohë dhe me përballje luftërash.

Image
Ragip Guraziu

“Por po ndodhë nën sundimin e politikës kriminale që ka kap shtetin shqiptar, andej Kufirit, por edhe shtetin e ri të Kosovës, akoma të pa formësuar si duhet dhe të pa stabilizuar si shtet normal në kuptimin e plotë të funksionimit. Me të vërtetë është e dhimbshme, është shqetësuese ajo që u zbulua së fundi, sipas Eurostatit, e që raportohet se rreth 80% e lejeve të reja të qëndrimit të dhëna për shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Bashkimin Evropian janë dhënë për një periudhë më të gjatë se 12 muaj. Madje këto shifra shihet që nga viti në vit po shënojnë trendin e rritjes. Sipas të dhënave, vetëm në vitin 2018 janë dhënë mbi 50 mijë leje qëndrimi për një periudhë më të gjatë se një vit, nga rreth 62 mijë e 500 leje që janë dhënë në total. Këto fakte flasin për një zbrazje masive me letra zyrtarë të trojeve shqiptare në shtetasit, qytetarët e tyre autokton, e që me kalimin e kohës do e harrojnë shtetin e tyre. Është tepër për tu shqetësuar e dhëna që flet se si në krahasim me një vit më parë, numri i lejeve të qëndrimit me kohë të gjatë janë rritur me 17%. Sipas Eurostat, 15% e lejeve të tjera të qëndrimit që janë dhënë për herë të parë janë lëshuar për një periudhë kohë për 6 deri në 11 muaj. Ndërsa 4% e lejeve, rreth 2280 leje, janë dhënë për një periudhë kohë 3 deri në 5 muaj”, thotë analisti Ragip Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Guraziut, autoritetet në Shqipëri, por edhe në Kosovë po e fshehin dhe po e heshtin rrezikun që po kanoset për zbrazjen e tokave dhe zhbërjen e heshtur të shtetit.

“Pasi që qytetarët kanë zgjedhur largimin nga vendi i tyre, duke populluar shtetet në fqinjësi e tutje seri në qendër të Evropës, duke filluar nga Italia, Greqia e tutje. Vendet me numrin më të lartë të lejeve të qëndrimit të lëshuara për shqiptarët janë vendet fqinje si Italia (23,147 leje) dhe Greqia (16,936 leje), të cilët përfaqësojnë mbi 60% të totalit të lejeve të lëshuara nga vendet e BE-së. Megjithatë thuhet që pas vitit 2013, lejet e qëndrimit të lëshuara nga Gjermania janë rritur me një ritëm të shpejtë. Gjermania përgjigjet për 16% të lejeve të qëndrimit të lëshuara në total në vitin e fundit. Prej tyre, pjesa më e madhe, mbi 6600 leje janë dhënë për më shumë se 12 muaj. Ndërkohë vendet me numrin më të lartë të lejeve të qëndrimit pas Gjermanisë, renditet Mbretëria e Bashkuar me mbi 3000 leje të lëshuara në vitin e fundit, Franca me 2143, Suedia me mbi 1500, dhe Kroacia me 1088. Këto trendë të zbrazjes së shtetit, me lëvizje drejtë vendeve të BE-së, e kanë prekur edhe Kosovën, prej nga qytetarët po largohen edhe në mënyrë legale, me sigurimin e leje qëndrimit dhe punësimit të rregullt, por edhe në mënyrë ilegale nëpërmes rrjeteve të trafikantëve të ndryshëm”, shton Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Me tej, Guraziut shprehet se klasa politike në të gjitha trojet shqiptare duhet të alarmohet dhe ta merr seriozisht këtë raportim shqetësues të Eurostatit.

“Dhe të bëjnë gjithçka për ndryshimin e këtij trendi, që qytetarët shqiptar të mos largohen, të sigurohet jetë dhe perspektiva për jetesë dinjitoze në shtetin, trojet e tyre”.

E kjo sipas Guraziut arrihet vetëm nëse qeverisja pastrohet nga krimi dhe korrupsioni.

”Është shumë e sigurt që për këtë lëvizje masive të popullatës shqiptare drejtë vendeve të perëndimit, duke filluar nga shteti i parë fqinjë, është kapja e nga krimi i organizuar i qeverisjes në të dyja shtetet shqiptare, Kosovë dhe Shqipëri, sepse pikërisht kjo kapje e kupolës shtetërore nga strukturat mafio kriminale kanë penguar në vazhdimësi zhvillimin dhe kanë stimuluar, kanë nxitur qytetarëve për të migruar jashtë shtetit amë”, përfundon analisti politik, Ragip Guraziu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)