Daçiq shkakton “skandal diplomatik”, sulmon verbalisht Komisionerin Evropian – ai e ndal mikrofonin dhe largohet nga takimi

  • 07 February 2020 - 08:04
Daçiq shkakton “skandal diplomatik”, sulmon verbalisht Komisionerin Evropian – ai e ndal mikrofonin dhe largohet nga takimi

Gjatë një takimi të Komisionerit Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi me kryeministren serbe Ana Brnabiq dhe ministrat e saj, ka ndodhur një “skandal diplomatik”.

Sipas mediave serbe, gjatë takimit ka ardhur deri tek një moment i pakëndshëm kur ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, ka sulmuar verbalisht mysafirin, i cili më pas u largua nga takimi.

Siç shkruan mediumi serb, Blic.rs, para se të fillonte Daçiq bisedën, biseda kaloi krejtësisht në normalitet.

Megjithatë, në një moment Daçiq ka marrë fjalën dhe i është drejtuar në mënyrë të ashpër Varhelyit.

“Ai ishte shumë i pasjellshëm. Ai i tha atij se nuk e din se ku ka ardhur dhe se po heshtë ndërsa dikush rrëmben manastiret serbe në Kosovë dhe heshtë për taksën e vendosur nga Prishtina për mallrat nga Serbia”, ka thënë një burim i “Blic.rs” i cili mori pjesë në takim.

Kryeministrja, si dhe ministrja e BE-së, Jadranka Joksimovic dhe ministri i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq ishin të habitur, pas së cilës Varhelyi ndezi mikrofonin dhe iu drejtua ministrit të Jashtëm serb, ka rrëfyer më tej burimi në fjalë.

“Unë jam i vetmi komisioner evropian që reagova ndaj taksës, e dënova atë që po ndodh në Mal të Zi, Serbia është vendi i parë që erdha pas prezantimit të metodologjisë së re dhe më në fund, erdha këtu për t’ju ndihmuar”, citohet të kenë qenë fjalët e Varheliy.

Pas kësaj, ka treguar burimi i mediumit serb, ai ndali mikrofonin, iu afrua Ana Brnabiq, shtrëngoi duart me të dhe doli nga takimi.

Dhe lidhur me këtë incident, mediumi serb ka kontaktuar protagonistin kryesor.

“Unë sulmova BE-në për mos respektim të Marrëveshjes së Brukselit, për futjen e Kosovës në Kapitullin 35, kështu që tani gjithçka varet nga ata dhe për heshtjen për ngjarjet në Mal të Zi”, ka thënë Daçiq.

(Kosova Sot Online)