Kthehet komunikimi Prishtinë – Tiranë, nesër Kurti takon Ramën

  • 10 shkurt 2020 - 10:58
Kthehet komunikimi Prishtinë – Tiranë, nesër Kurti takon Ramën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nesër do të udhëtojë për në Shqipëri, në vizitën e tij të parë zyrtare pas emërimit në krye të Qeverisë. 

Një ditë para mbërritjes në Shqipëri është bërë e ditur agjenda e vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tiranë.

Në vizitën e tij të parë si Kryeministër, por edhe jashtë Kosovës, Kurti ka parashikuar takime me Ramën, Ruçin, Metën, Veliaj dhe Bashën.

Me Ramën ai do të ketë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Qëndrimi i tij do të zgjasë një gjysmë dite.

 Nisja drejt Morinës për kthimin në Kosovë është parashikuar në 12:40.Vizita u paralajmërua nga Kurti gjatë një interviste për Zërin e Amerikës.

“Unë synoj që javën e ardhshme të vizitoj Tiranën dhe të zhvilloj takime me liderët institucional atje, me kryeministrin Rama, me presidentin Meta, me kryeparlamentarin Ruçi, me kryetarin e opozitës Basha dhe në këtë mënyrë t’i diskutojmë së bashku këto çështje. Unë nuk jam kundër iniciativave për bashkëpunim rajonal, mirëpo aty duhet të jetë parimi i reciprocitetit dhe përderisa Republika e Shqipërisë i njeh më mirë fqinjët tanë jugor dhe perëndimor, është Republika e Kosovës ajo që i njeh më mirë fqinjët tanë lindor dhe veriorë dhe në këtë aspekt ne mund të jemi komplementar”, kishte deklaruar Kurti.

(Kosova Sot Online)