Eksperti i sigurisë e paralajmëron Glauk Konjufcën: Ja sfidat e rënda që e presin...

  • 10 February 2020 - 13:10
Eksperti i sigurisë e paralajmëron Glauk Konjufcën: Ja sfidat e rënda që e presin...

“Së pari, detyrë parësore e politikës së jashtme kosovare do të jetë ruajta e tërësisë territoriale të Kosovës e cila është futur si agjendë nga Vuçiq -Rama -Thaçi, me qëllim të zgjidhjes përfundimtare të çështjes serbo-shqiptare. Kjo do të jetë një sfidë shumë e madhe. Ndryshimi i kësaj agjende kërkon aksion të madh politik”, thotë Kajtazi për “Kosova Sot Online”.

Eksperti i sigurisë dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Fadil Kajtazi, duke e vlerësuar funksionimin e brishtë dhe pothuajse plotësisht të dështuar të Ministrisë së Jashtme gjatë mandatit dy vjeçar të koalicionit PAN, vlerëson se për kabinetin e ri qeveritar dhe Ministrin e Jashtëm Glauk Konjufca, sfidë kryesore dhe parësore do të jetë përmirësimi i imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, dhe ndalja e trendit të heqjes së njohjeve të Kosovës.

Sipas Kajtazit, përballja me fushatën e egër serbe, e cila po lobon në çdo mënyrë për heqjen e njohjeve te Kosovës dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, në të cilat ka dështuar krejtësisht nën udhëheqjen e Behgjet Pacollit si Ministër, janë sfidat me te cilët do të përballet Kajtazi.

Më tej, ai vlerëson se krejt ajo që u ndërtua në rrafshin diplomatik në periudhën më të vështirë para dhe gjatë luftës, nga Presidenti Ibrahim Rugova, u degradua dhe stërkeq pas lufte nga ata që thirren në emër të vlerave të luftës, dhe pa vizion e pa përvojë profesionale që morën nën drejtim politikën e jashtme të vendit.

Image
Glauk Konjufca

“Unë besoj në ligjin fizik se brendësia përcakton formën, dhe fakti i krijimit të një subjektiviteti të konsoliduar ndërkombëtar në vitet 1991-99, i takon Dr Rugovës, i cili ja doli që të konsolidoj një sistem shtetëror funksional në kushte të rënda okupimi, gjë nga e cila derivoi një diplomaci shumë më kredibile se sa që është sot, e që u stërkeq nga i ashtuquajturi krah i luftës. Fakti se ende ne kemi një imazh në marrëdhëniet ndërkombëtare është nga inercioni i diplomacisë rugoviane të viteve 1991-99. Përndryshe doktrina e diplomacisë së pas luftës e bazuar në kodet primitive “a është i joni” që bazohej kryesisht në librezën partiake, në vëllezër e motra, në kushëri dhe halla, ka gjymtuar për të mos thënë fundosur sistemin tonë në marrëdhëniet ndërkombëtare”, thotë analisti Fadil Kajtazi për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas Kajtazit, tani duhet shpenzuar shumë energji për ta rikthyer atë që është humbur dhe për të avancuar më tutje. 

“Përmirësimi eventual i imazhit ndërkombëtar nga ky koalicion do të jetë i vështirë dhe varet nga disa faktorë. Së pari, detyrë parësore e politikës së jashtme kosovare do të jetë ruajta e tërësisë territoriale të Kosovës e cila është futur si agjendë nga Vuçiq -Rama -Thaçi, me qëllim të zgjidhjes përfundimtare të çështjes serbo-shqiptare. Kjo do të jetë një sfidë shumë e madhe. Ndryshimi i kësaj agjende kërkon aksion të madh politik. Në rrafshin e brendshëm, kërkon veprim të shpejtë në konsolidimin e funksionimit të shtetit ligjor, konsolidim ekonomik, thënë më shkurt funksionim të shtetit në të gjitha fushat. Nëse kryeministri Kurti, mendon që të udhëheqë qeverinë me konceptet me të cilat VV pati filluar të udhëheqë me Prishtinën, sukseset do të jenë të venitura”, deklaron Kajtazi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)