Pas shkarkimit, kërkohet dënimi dhe burgosja e Rexhep Hotit

  • 14 February 2020 - 07:48
Pas shkarkimit, kërkohet dënimi dhe burgosja e Rexhep Hotit

“Përveç shkarkimit të tij, medoemos duhet të nis edhe një hetim i detajuar ndaj Rexhep Hotit, por edhe Enver Hoxhajt e Ramush Haradinajt, madje për zhvatjen deri në palcë të buxhetit të varfër të Kosovës, prapa grilave duhet të përfundojë jo vetëm Rexhep Hoti por pikësëpari ata të cilët e katapultuan atë, në këtë pozitë të shpikur”, thotë Qarri për “Kosova Sot Online”.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit ka marr vendim për shfuqizimin e një varg vendimesh vendimit të qeverisë së Ramush Haradinajt.

Ndër to është vendimi për rritjen e pagave për 100% për kryeministrin dhe kabinetin qeveritar. Po ashtu një vendim tjetër pozitiv i qeverisë Kurti, ka qenë edhe shkarkimi i të ashtuquajturve koordinator nacionalë, pozita këto të shpikura nga Qeveria Haradinaj për emërimin e militantëve partiakë.

E njëri ndër ta i cili i kushtoi miliona euro buxhetit të Kosovës, ishte edhe Rexhep Hoti, i ashtuquajturi Koordinator Nacional për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport, i akuzuar shpesh herë nga analistët e shumtë, si një nga zhvatësit më të mëdhenj të buxhetit të Kosovës, ku paga mujore e Rexhep Hotit arrinte në 1270 euro, pa përfshirë edhe këshilltarët, asistentët dhe stafin.

Analistët politikë kërkojnë që për shkak të abuzimit që Hoti e ka bërë me këtë pozitë gjatë mandatit dyvjeçar, përveç shkarkimit, të ballafaqohet edhe me ligjin. Analistët kërkojnë që të nisë edhe një hetim ndaj Rexhep Hotit, në mënyrë që të ndëshkohet dhe të dërgohet prapa grilave, së bashku me shefat e tij. Këtë gjykim ndaj Hotit e kërkon edhe analisti politik, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

“Para rreth dy vitesh, zëvendëskryeministri i parë nga PDK Enver Hoxhaj, duket se nuk ishte ngopur as me 24 ministra dhe afro 80 zëvendësministra, në Qeverinë e PAN-it të udhëhequr nga Haradinaj dhe për të punësuar njerëz të partisë së tij, në pozita sa më të larta, të mire paguara dhe në barasvlerë të vet ministrave të Qeverisë, ai “shpiku” edhe pozitën e ashtuquajtur të "Koordinatorit" për Kulturë,Rini dhe Sport duke kurdisur këtë pozitë, pikërisht për zëvendësministrin e Kulturës dhe nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Rexhep Hotin. Vetëm paga mujore e Rexhep Hotit, i ashtuquajtur "Koordinator" arrinte në 1270 euro, pa përfshirë këtu edhe këshilltarët, asistentët dhe stafin shoqërues të këtij dikasteri të shpifur i cili rezultoi me fiasko totale. Ndaj duke pasur parasysh shpikjen e panevojshme të punësimeve, partiake e nepotiste, shpenzimet marramendëse kot-së koti, e shto kësaj edhe rezultatin "ZERO", të vet Koordinatorit”, thotë analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Qarri konsideron se nuk do ta ketë efektin e vetë vetëm shkarkimi, nëse zhvatja e buxhetit të shtetit nga Rexhep Hoti nuk ndëshkohet edhe me ligj.

“Përveç shkarkimit të tij, medoemos duhet të nis edhe një hetim i detajuar ndaj Rexhep Hotit, por edhe Enver Hoxhajt e Ramush Haradinajt, madje për zhvatjen deri në palcë të buxhetit të varfër të Kosovës, prapa grilave duhet të përfundojë jo vetëm Rexhep Hoti por pikësëpari ata të cilët e katapultuan atë, në këtë pozitë të shpikur”, shprehet Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)