Profesori i njohur numëron dështimet e mëdha të Kosovës: Ja kush po sundon në veri të vendit

  • 15 February 2020 - 14:03
Profesori i njohur numëron dështimet e mëdha të Kosovës: Ja kush po sundon në veri të vendit

“Si të tillë karakterizohen me paaftësi, me dyshime kriminale, me lëvizje antishtetërore dhe me prejardhje shume të dyshimta. Kemi pasiguri dhe pa pushtet edhe në hapësirën territoriale të Kosovës. Shteti i Kosovës nuk funksionon në veri dhe në shumë komuna serbe të ndërtuara nga shqiptarët me motive politike. Në veri kemi thjeshtë shtet serb”, thotë Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtës dhe një nga ish themeluesit e LPK-së dhe të UÇK-së, Muhamet Kelmendi, që njëherit ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e parë të pasluftës, duke analizuar të arriturat e shtetit të Kosovës për këto 12 vite pas shpalljes së pavarësisë, thotë se përparimi që po shënon vendi, nuk arsyeton dështimet e mëdha që po mbeten mbrapa dhe po e vonojnë fuqizimin e shtetit të ri të Kosovës.

Image
Muhamet Kelmendi

“Në prag të shënimit të përvjetorit të 12 të shpalljes së shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës ka shumë çështje që kanë ecur përpara, por njëherit edhe shumë punë dhe detyra, të cilat kanë stagnuar. Çështjet që kanë ecur përpara janë tamam sikurse kur ecën "gaforrja". Nuk kemi ecje me të cilën do të mundë të krenohemi aktualisht. Vendi po lëngon shumë nga fatkeqësitë që kanë ndodhur nga njeriu në Kosovë”, thotë profesor Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Në këtë aspekt, Kelmendi shprehet se pasiguria e sovranitetit të shtetit, vjen e bëhet shqetësim akoma më i madh, pasi po rrezikohet nga strukturat kriminale të instaluara nga Serbia.

“Kemi probleme të brendshme dhe të jashtme. Të brendshme janë në fushën e luftimit të krimit dhe të korrupsionit, përkatësisht në polici, në prokurori, nëpër gjykata e në mekanizmat tjerë të kësaj natyre. Kemi çrregullim në çështjen e shëndetësisë, në punën sociale, në arsim, në privatizim dhe kudo nëpër fushat ekonomike, qoftë private, qofte publike e shtetërore. Kuvendi i Kosovës nuk është në lartësinë e detyrave që kërkon shteti. Dhe, thjeshtë është shumë vështirë të rregullohet sepse deputetët janë njerëz të mafisë politike të partive politike. Si të tillë karakterizohen me paaftësi, me dyshime kriminale, me lëvizje antishtetërore dhe me prejardhje shume të dyshimta. Kemi pasiguri dhe pa pushtet edhe në hapësirën territoriale të Kosovës. Shteti i Kosovës nuk funksionon në veri dhe në shumë komuna serbe të ndërtuara nga shqiptarët me motive politike. Në veri kemi thjeshtë shtet serb”, shton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas profesor tij, Kosova ka dështuar dhe ka probleme të mëdha edhe në politikën ndërkombëtare në diplomaci.

“Në arenën ndërkombëtare kemi çrregullim total. Kosova nuk është anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare dhe në OKB. Nuk është bërë liberalizimi i vizave dhe nuk ka ecur fare në drejtim të njohjeve të reja ndërkombëtare. Edhe këtu kemi ngecje të madhe, madje edhe tërheqje të njohjeve, sikurse diskutohet aktualisht”, thekson Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Profesor Kelmendi thekson se këto vitet e fundit, problemi më i madh është raporti me shtetin serb dhe negociatat që po zhvillohen, e të cilat mundë të sjellin edhe një konflikt të ri.

“Negociatat janë shumë të dëmshme. Priten konflikte të mëdha. Taksa veç që nuk është hequr. Ndërsa negociatat do të bëhen pa e ditur se çka dhe si do të ndërtohet. Kemi një rrezik permanent. Në këtë situatë, Qeveria e re, po tregon pa aftësi dhe jo koordinim të punëve. Po bëhen 10 ditë nga formimi i Qeverisë dhe ende nuk kemi një vendim të veçantë, përveç disa gjoja korrigjimeve. Kështu po futemi në këtë vit jubilar pa ndonjë të arritur për ta theksuar dhe veçuar”.

E ajo që po i humbë shpresat e qytetarëve në këtë shtet, sipas Kelmendit është mungesa e perspektivës për zhvillim ekonomik dhe papunësia.

“Vendi po lëngon. Gjendja ekonomike e sociale është e rëndë. Papunësia pi rritet, ndërsa shpërnguljet janë intensifikuar. Pritet të bëhet gjendja edhe më e rëndë . Koha do të jetë e ashpër”, përfundon profesor Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)