Disa raketa bien afër ambasadës amerikane në Irak

  • 16 February 2020 - 08:31
Disa raketa bien afër ambasadës amerikane në Irak

Një burim ushtarak amerikan tha se disa raketa kanë rënë në afërts të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Bagdad të Irakut. Kjo ambasadë muajin e kaluar ishte në shënjestër të disa sulmeve pas rritjes së tensioneve me Iranin.

Sulmi bëri që të aktivizoheshin sirenat e alarmit në tërë kompleksin diplomatik, por nuk ishte e qartë se çfarë u godit saktësisht, tha ky burim. Një zëdhënës i ushtrisë amerikane tha se nuk pati viktima në njerëz, por vetëm disa dëme të vogla materiale.

Ky ishte sulmi i 19-të që nga tetori i vitit të kaluar kundër ambasadës ose trupave amerikane që ndodhen në Irak. Përgjegjësinë për to zyrtarisht nuk e ka marrë asnjë grup, por Shtetet e Bashkuara e kanë drejtuar gishtin nga militantët e përkrahur nga Irani. 

Grupet e ndikuara nga Irani e kishin sulmuar edhe më parë këtë ambasadë dhe kishin kërkuar që trupat amerikane të largohen nga Iraku.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit arritën në një pikë kritike në fillim të janarit, kur forcat amerikane e vranë përmes një sulmi me dron gjeneralin e lartë iranian, Qassem Soleimani, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)