Thaçi: Cakaj e Rama kanë qëndrim unik për Kosovën, na duhet koordinim me Tiranën

  • 19 shkurt 2020 - 12:11
Thaçi: Cakaj e Rama kanë qëndrim unik për Kosovën, na duhet koordinim me Tiranën

Presidenti Thaçi tha se ministri Gent Cakaj i ka dhënë një frymë të re lobimit për Kosovën, kudo që Shqipëria merr pjesë, e Cakaj tha se Kosova ka qenë një nga detyrat e tij që nga dita e parë e punës. 

Presidenti Hashim Thaçi e ka pritur në zyrën e tij ministrin në detyrë të Shqipërisë për Evropë dhe Punë të Jashtme, Gent Cakajn.

Thaçi e ka falënderuar kryediplomatin në detyrë të Shqipërisë, për afirmimin, që sipas tij, Cakaj ia ka bërë Kosovës, kudo që e ka përfaqësuar Shqipërinë.

“Edhe tash në procesin e konsolidimit të shtetit tonë, të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja, kërkohet një koordinim mes Prishtinës dhe Tiranës. Unë mendoj që Ministri Cakaj e ka dhënë një dinamikë të re kësaj fryme të konsolidimit të Kosovës,kudo në cdo instancë, kudo ku Shqipëria merr pjesë. Në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës, ju shprehi falëndërim personalisht juve z. Ministër dhe kryeministrit Rama, që kanë qëndrim unik për Kosovën”, ka thënë Thaci. 

E, ministri i Shqipërisë nga Prishtina ka thënë se Kosova ka qenë një nga detyrat e tij që nga emërimi i tij.

 “Unë jam për herë të parë në vizitë zyrtare prej që kam marrë  detyrën, megjithatë Kosova ka qenë detyrë e imja që nga dita e parë e punës sime”, ka thënë Cakaj.

“Kosova dhe Shqipëria kanë një kufi simbolik e nuk duhet të kenë atë fare,. Ne jemi të gatshëm të nisim zhbërjen e kufirit. Kjo më shumë duhet të jetë për bisedime në rrafshin teknik se sa për pikëpyetje politike” , është shprehur ministri në detyrë i Shqipërisë. 

Ai ka marrë meritat për formimin e aleancën së partive shqiptare në Luginën e Rreshevës dhe për lobim për njohje të reja të Kosovës.

(Kosova Sot Online)