Parashikimi: Ky do të jetë fundi i Devollëve, ja veprimi që...

  • 21 February 2020 - 07:32
Parashikimi: Ky do të jetë fundi i Devollëve, ja veprimi që...

”Unë me të drejtë dua të pres dhe të besoj se Qeveria Kurti shumë shpejt do ta merr fuqinë dhe guximin, për të vepruar sipas ligjit, edhe ndaj monopoleve të Devollëve, për ta shembur me këtë veprim kupolën a mafies politike. Ballafaqimi me monopolin e Devollëve do të jetë veprimi që do ta sjell edhe fundin e mbretërisë së Devollëve”, thotë Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se do të heq gjitha monopolet në Kosovë.

“Pra, së pari, do të bëjmë veprime me të cilat e nivelizojmë garën sepse një biznes nuk mund të rrisë prodhimin nëse operon në kushte të pabarabarta në treg. Pabarazia të dekurajon për garën. Ju keni vite që më keni thënë se ajo që ju mungon është konkurrenca fer dhe mungesa e qasjes në financa, sepse, idetë dhe inovacionin i keni. Tash erdhi dita që t’i bëjmë këto të dyja: edhe të heqim monopolet e të barazojmë garën, por, edhe të ofrojmë qasje në financa që ju të rriteni e të forcoheni. Investime të huaja në Kosovë ka pak sepse ka pasur shumë korrupsion dhe pak mbështetje. Korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit, e shoqëruar me monopolet për kompani të caktuara ka dëmtuar imazhin dhe ka frikësuar investitorët potencial", ka thënë kryeministri Kurti.

E analistët politikë besojnë dhe presin që Albin Kurti pa vonesë të fillojë të merret edhe me Devollët, që zhbërjen e monopolit në të bërit biznes, ta nis pikërisht nga mafio-oligarkët Devolli.

Kështu ka thënë për “Kosova Sot Online” edhe analisti politik, Ragip Guraziu.

Image
Ragip Guraziu

“Është për tu përshëndetur zotimi i Kryeministrit Albin Kurti sa i takon vendosjes së rendit dhe ligjit në fushën e ekonomisë, të bërit biznes me konkurrencë lokale dhe pa monopole. Kryeministri, Albin Kurti, po premton shumë, por shtetin i kapur, për ta çliruar nga krimi dhe mafio-oligarkët kërkohet shumë mund i madh sepse janë ish njerëzit e pushtetit ata që e kanë kapur shtetin e Kosovë si deshën dhe si ua pati atyre ëndja dhe interesi gjatë kohës së qeverisjes së tyre”, thotë Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, besimin në këtë qeveri për t’i luftuar të gjitha rrjetet kriminale, duhet mbështetur në masat e fundit që po ndërmerren në anulimin e vendimeve të Qeverisë së kaluar, dhe shkarkimin e të gjithë atyre që u emëruan në pozita në mënyrë të kundërligjshme.

“Nga të gjitha këto që po ndodhin tani, veprimet më të reja të Qeverisë kundër abuzimeve të ligjit në mandatin e kaluar, i pa dhe po thuhet se Kosova është qeverisur në mënyrën autokratike. U tha se njerëzit që janë në pushtet dikur kanë qenë të varfër. Institucionet e këtij shteti, një pjesë më të madhe të kohës po qeverisen në mënyrë autokratike dhe kjo nuk pati aspak dilemë. E, nëse pyetemi pse po na ndodh kështu në Kosovë, që nga nivelet qendrore e ato niveleve komunale, përgjigjja veç dihet, sepse interesi i tyre ishte vetëm për të qenë në pushtet, për t’ i mbushur xhepat e tyre, se sa në dobi të shtetit dhe qytetarëve të tij. Kësaj duket që po i vjen fundi me këtë qeverisje të re të koalicionit LVV-LDK, sipas zotimeve që si partner i kishin dhënë edhe gjatë fushatës elektorale se nuk do të lejojnë monopolet, se do të luftohet dhe monopoli i vëllezërve Devolli”, shton Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Guraziut, beteja shumë serioze qeverinë Kurti do ta pretë me Devollët, pasi në këtë biznes të lidhur me politikën dhe krimin e organizuar, qëndron bërthama e gjithë mafisë kosovare që ishte e lidhur në të kaluarën me pushtetin e inkriminuar.

“Tani duhet t’i shtrohet pyetja kryeministrit, Albin Kurtit: A do ta fillon luftimin e monopoleve pikërisht nga Devollët sepse ata janë gangrena e kësaj shoqërie, janë zhvatësit kryesor që po i plaçkitin dhe zhvatin kosovarët e varfër. Devollët zhvatjen e qytetarit të varfër të Kosovës janë duke e realizuar edhe përmes monopolit në homologim, prandaj unë do të kërkoja nga Kryeministri Kurti që goditja e parë e qeverisë së tij, të jetë goditja ndaj Devollëve”, shprehet analisti Ragip Guraziu për “Kosova Sot Online”.

“Mos veprimi ndaj Devollëve do të ishte një zhgënjim i madh i votuesve në raport me këtë qeveri, ngase pikërisht lufta kundër monopolit të Devollëve ishte premtuar edhe gjatë fushatës si angazhim me prioritet nga ditët e para të fillimit të qeverisjes Kurti dhe koalicionit me LDK-në. Unë me të drejtë dua të pres dhe të besoj se Qeveria Kurti shumë shpejt do ta merr fuqinë dhe guximin, për të vepruar sipas ligjit, edhe ndaj monopoleve të Devollëve, për ta shembur me këtë veprim kupolën a mafies politike. Ballafaqimi me monopolin e Devollëve do të jetë veprimi që do ta sjell edhe fundin e mbretërisë së Devollëve”, përfundon Guraziu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)