“Testi vendimtar”, Kurtit i kërkohet goditja finale për monopolin e Devollëve

  • 22 February 2020 - 07:28
“Testi vendimtar”, Kurtit i kërkohet goditja finale për monopolin e Devollëve

“Nëse Albin Kurti vendos që ta fillon këtë betejë seriozisht kundër monopoleve dhe të shkon deri në fund me luftimin e korrupsionit, monopoleve, evazionit fiskal etj, duhet t’ia filloj nga Devollët e të përfundon tek politikanët të cilët janë të përfshirë në afera korruptive me biznesmenët vendor, e në mesin e tyre janë edhe Devollët”, thotë Grapci për “Kosova Sot Online”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke folur ne edicionin e dytë të Konventës së Prodhuesve të Kosovës, ka thënë se do të heq monopolet në Kosovë.

"Do të sigurojmë një ambient të barabartë duke hequr monopolet, duke eliminuar evazionin fiskal, por edhe duke siguruar furnizimin me energji elektrike me çmim të përballueshëm. Pra, së pari, do të bëjmë veprime me të cilat e nivelizojmë garën sepse një biznes nuk mund të rrisë prodhimin nëse operon në kushte të pabarabarta në treg. Pabarazia të dekurajon për garën. Ju keni vite që më keni thënë se ajo që ju mungon është konkurrenca fer dhe mungesa e qasjes në financa, sepse, idetë dhe inovacionin i keni. Tash erdhi dita që t’i bëjmë këto të dyja: edhe të heqim monopolet e të barazojmë garën, por, edhe të ofrojmë qasje në financa që ju të rriteni e të forcoheni. Investime të huaja në Kosovë ka pak sepse ka pasur shumë korrupsion dhe pak mbështetje. Korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit, e shoqëruar me monopolet për kompani të caktuara ka dëmtuar imazhin dhe ka frikësuar investitorët potencial", ka thene kryeministri Kurti.

E lidhur me këtë, eksperti i fushës së ekonomisë Dardan pret nga Qeveria Kurti që pa vonesë të nisë dha të merret seriozisht me të gjitha monopolet që janë krijuar në vend, gjatë qeverisjeve të kaluara, e ndër të parat, të fillohet me monopolin e bizneseve të vëllezërve Devolli.

Grapci thotë se Albin Kurti duhet të merret me urgjencë me Devollët për zhbërjen e monopolit në të bërit biznes, e sidomos kur bëhet fjalë për monopolin prej më shumë se një dekadë në homologim të automjeteve.

Image
Dardan Grapci

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë mirë që e ka zgjedhur për të folur dhe zotuar realizimin e premtimit të tij kundër monopoleve pikërisht në edicionin e dytë të konventës së prodhuesve të Kosovës. Këtë zotim dhe këtë premtim Kurti duhet ta fillojë nga Devollët dhe të mos vonohet sepse edhe qytetaret janë lodhur nga fjalët dhe premtimet e kota nga ish qeveritarët e kaluar. Ajo se çka dëshirojnë qytetaret janë veprat, prandaj nëse vepron ashtu siç po thotë jam i bindur që qytetarët do ta mbështesin edhe më shumë në të ardhmen. E beteja me monopolin e Devollëve do të jetë testi vendimtar për përkushtimin e Qeverisë Kurti në kthimin e normalitetit dhe lojalitetit në të bërit biznes", thotë Grapci për “Kosova Sot Online”.

“Nëse Albin Kurti vendos që ta fillojë këtë betejë seriozisht kundër monopoleve dhe të shkon deri në fund me luftimin e korrupsionit, monopoleve, evazionit fiskal etj, duhet t’ia filloj nga Devollët e të përfundon tek politikanët të cilët janë të përfshirë në afera korruptive me biznesmenët vendor, e në mesin e tyre janë edhe Devollët”, shton Grapci për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, ‘lufta’ me Devollët do ta jep edhe përgjigjen në pyetjen se a do të ketë sukses Albin Kurti në luftimin e këtyre skandaleve 20 vjeçare që po ndodhin në Kosovë, a po edhe ky do të dështojë në misionin e tij.

“Po e them këtë pasi që qytetarët janë të mllefosur nga mafio-oligarkët, në mesin e tyre posaçërisht nga Devollët që po ju marrin punën. Kështu që Albin duhet të filloj sa më shpejtë këtë luftë për të mos u vonuar dhe për të mos dështuar”, përfundon Grapci për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)