Eksperti flet për vendimin e Albulena Haxhiut: Kjo duhet të jetë ‘goditja’ e radhës...

  • 22 February 2020 - 07:36
Eksperti flet për vendimin e Albulena Haxhiut: Kjo duhet të jetë ‘goditja’ e radhës...

“Vendimi i anulimit të provimit për noterët nga Ministrja e Drejtësisë Znj. Haxhiu, proces i cili po hetohet edhe nga prokuroria në fakt është një veprimi guximshëm VETING-u që ka nisur Ministrja e Drejtësisë, dhe përderisa është bërë në konsultim edhe me qeverinë kjo tregon se Qeveria Kurti ka filluar të vendosë në funksionim ligjin; dhe vënia në funksionim të ligjit dhe zbatimi me përgjegjshmëri dhe me korrektësi i tij detyrimisht nuk lejon shkeljet dhe abuzimet me të, pra nuk lejon kapjen e noterisë nga politika”, thotë Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ashtu sikur që premtoi para disa ditësh, ka marrë vendim që të anulojë provimin për noterë, proces ky i zhvilluar gjatë mandatit të koalicionit PAN, me plotë parregullsi të theksuara e të denoncuara nga monitoruesit e këtij procesi.

“Nuk mund të shtyjë përpara një proces i cili është duke u hetuar edhe nga Prokuroria. Sot marr vendim që pas konsultimeve që kam bërë me kabinetin tim dhe departamentet përkatëse brenda Ministrisë së Drejtësisë, kam vendosur që të anulojë procesin apo provimin për noterët e shpallur më 19 prill 2019 dhe pika e dytë e këtij vendimi është që të gjitha pagesat të cilat tashmë janë bërë nga kandidatët që i janë nënshtruar provimit të noterisë, do të kthehen”, deklaroi Haxhiu duke e arsyetuar vendimin e saj.

E ekspertët e së drejtës kërkojnë që pas këtij vendimi, të mos vonohet fare Haxhiu, por të niset sa më parë edhe procesi i Vetting-ut në nivel vendi.

Për këtë zhvillim të fundit dhe nevojën e Veting-ut, për “Kosova Sot Online” ka folur eksperti i fushës të së drejtës, Skënder Kapiti.

Image
Skender Kapiti

“Pa vonesë edhe Kosova duhet ta merr modelin e pastrimit të institucioneve të drejtësisë sikurse procesi që po ndodhë në Shqipëri, derisa ai anulimin e provimit për noterët e konsideron si një lloj testi për zbatimin e Vetingut edhe në drejtësi, gjykata dhe në prokurori. Vendimi i anulimit të provimit për noterët nga Ministrja e Drejtësisë Znj. Haxhiu, proces i cili po hetohet edhe nga prokuroria në fakt është një veprimi guximshëm VETING-u që ka nisur Ministrja e Drejtësisë, dhe përderisa është bërë në konsultim edhe me qeverinë kjo tregon se Qeveria Kurti ka filluar të vendosë në funksionim ligjin; dhe vënia në funksionim të ligjit dhe zbatimi me përgjegjshmëri dhe me korrektësi i tij detyrimisht nuk lejon shkeljet dhe abuzimet me të, pra nuk lejon kapjen e noterisë nga politika. Fakti që ky vendim i saj ndodh paralelisht edhe kur Prokuroria po heton rastin, kjo do të thotë se Ministrja nuk pret vonesat dhe “neglizhencat” e prokurorisë së kapur nga politika, nga prokuroria politike, pasi vetë prokurorët e Kosovës duhet t’i nënshtrohen të parët procesit të VETING-ut ashtu sikurse edhe gjyqtarët”, thotë Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Vendimi i ministres Haxhiu, sipas Kapitit, duhet përshëndetur dhe mbështetur publikisht dhe mediatikisht ashtu sikurse po vepron gazeta “Kosova Sot”, në mënyrë që duke mos lejuar kapjen e noterisë nga politika.

“Nga individë të paaftë dhe me lidhje partizane e nepotike dhe as nga interesat korruptive politiko-mafio oligarkike që në fillim të ngritjes së tij, sepse ky është VETTING -u paraprak për noterinë. Kjo është shenjë shprese se qeveria do ta mbajë premtimin për VETING-un gjithëpërfshirës, së pari me drejtësinë, me gjyqtarët e prokurorët. Jo vetëm rasti për Noterinë, por qeveria e re me përgjysmimin e pagave të ministrave dhe me fshesën në administratën e mbushur me burokrate, të pa aftë dhe me parazitarë që po kryhet si p.sh. edhe në diplomaci me shkarkimin e 14 konsujve , gjë që tregon se procesin e VETING-ut qeveria e ka filluar. Pra, kur ka ligje të mira , dhe kur ato zbatohen njësoj për të gjithë, dhe kur fillon llogaridhënia, shkarkimi , hetimi dhe ndëshkimi i personave VIP si dhe kundër peshqve të mëdhenj të krimit, korrupsionit dhe abuzimit , ky shërben edhe si një VETNG-real, dhe pavarësisht kësaj në Kosovë duhet ngritur një strukturë e posaçme antikrim dhe anti korrupsion si SPAK-u në Shqipëri”, deklaron eksperti i së drejtës, Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)