Defektet e diplomacisë, fshesa e rigjenerimit

  • 24 February 2020 - 08:13
Defektet e diplomacisë, fshesa e rigjenerimit

Në vitet e fundit, pozita ndërkombëtare e Kosovës është dëmtuar në masë të madhe dhe rimëkëmbja e kësaj pozite duhet të jetë prioritet i qeverisë së re të vendit, e cila nevojitet të imponojë një qasje më të mirë se sa deri më tash të diplomacisë dhe shërbimit të jashtëm, vlerësojnë njohës të zhvillimeve në Kosovë.

Sipas tyre, për disa vite me radhë, politika e jashtme e Kosovës ka pasur aq shumë defekte sa që ato janë shndërruar në degjenerim institucional. Për pasojë, siç thonë ata, veprimet në fushën e politikës së jashtme kanë qenë më shumë të improvizuara dhe me efekte negative për përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës.

Diplomacia e pafuqishme

Arbëresha Loxha, drejtoreshë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë që Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, por edhe institucionet tjera, duhet që pa humbur kohë të marrin disa masa për rigjenerimin e dëmeve që i janë shkaktuar pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.

“Fillimisht, është e rëndësishme që menjëherë Kosova të rivendosë dhe të forcojë bashkëpunimin diplomatik me partnerët e saj strategjik, sepse kjo ka qenë e anashkaluar. Njëkohësisht, të shqyrtojë format e bashkëpunimit me ato vende, të cilat e kanë njohur Kosovën, por me të cilat ne ende nuk kemi vendosur marrëdhënie të plota diplomatike”.

“Kjo të bëhet ashtu që ne të sigurojmë mbështetjen e tyre në fushatën për të siguruar njohje të reja, por njëkohësisht edhe t’i kundërpërgjigjemi agresionit diplomatik serb, i cili është manifestuar në çnjohje”, tha Loxha.

Ajo ka shtuar se diplomacia e Kosovës, deri më tash, ka qenë e pafuqishme ndaj fushatës agresive të Serbisë, e cila dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, te shumë vende e ka paraqitur si dialog për zgjidhjen e statusit. Kjo sipas saj ka ndikuar edhe në tërheqjen e disa njohjeve, por edhe në mos arritjen e njohjeve të reja.

Për t’iu përgjigjur fushatës agresive diplomatike të Serbisë, siç thotë Loxha, Qeveria e Kosovës duhet të përpilojë urgjentisht një strategji kombëtare.

Për më shumë, sipas saj, për ta përmirësuar imazhin e vendit, Qeveria e re e Kosovës, duhet të tregojë që është e gatshme dhe e vendosur që të qeverisë mirë, duke dëshmuar përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në reformat kyçe që janë të domosdoshme në procesin e ndërtimit të shtetit dhe për integrimet evropiane.

Loxha po ashtu ka theksuar që Kosova duhet të ripërtërijë interesimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe si caqe fillestare duhet të jenë INTERPOL-i, UNESCO, Këshilli i Evropës dhe Organizata Botërore e Tregtisë (OBT). Por, siç tha ajo, për të gjitha këto nevojiten përgatitjet e duhura dhe aplikimi për anëtarësim duhet të behët vetë ku Kosova të sigurojë mbështetjen e plotë të partnerëve të saj dhe të jetë i sigurt suksesi.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, Glauk Konjufca, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, më 12 shkurt, ka propozuar që Kosova gjatë këtij viti të mos aplikojë për pranim në INTERPOL.

Siç ka thënë ai, situata lidhur me mbështetjen ndërkombëtare të nevojshme për anëtarësim në INTERPOL, nuk është më e mirë për Kosovën se sa në dy vjetët e kaluar, kur kishte dështuar anëtarësimi në këtë organizatë.

“Sipas të gjitha parametrave, Kosova do ta kishte të njëjtin rezultat nëse do të aplikonte edhe këtë vit. Kështu që, nëse duam që ta evitojmë këtë situatë, atëherë propozohet që të jetë në një takim të vitit të ardhshëm, i cili është shumë më i përshtatshëm për ne edhe në kuptimin e vendit ku mbahet, që është në Turqi”, ka thënë Konjufca.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e ka vlerësuar të drejtë propozimin e ministrit Konjufca. Ai ka theksuar se ky i fundit duhet të bëjë planifikimin strategjik për korrigjimin e dëmeve që janë bërë gjatë viteve të fundit në politikën e jashtme, në mënyrë që ta rimëkëmbë atë.

“Tentimet e deritashme të Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO dhe në INTERPOL kanë pësuar fiasko të madhe dhe kanë qenë të turpshme ato humbje diplomatike të Kosovës, të cilat janë bërë me një pompozitet krejtësisht të pabazuar dhe jorealist”.

“Ministri Konjufca e ka të detyrueshme që ta ketë një qasje realiste, sepse çdo përsëritje e gabimeve që janë bërë deri më tani, do të ishte e pafalshme dhe do të tregonte se nuk janë mësuar leksionet nga e kaluara”, tha Muhaxhiri.

Ambasadat, strehë e militantëve politik

Së fundmi, më 20 shkurt, ministri i Jashtëm, Konjufca përmes një vendimi ka shkarkuar 14 konsuj në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në vende të ndryshme të botës, me arsyetimin se emërimet e tyre kanë qenë vendime të kundërligjshme të qeverisë së kaluar.

Arbëresha Loxha thotë se ambasadat e Kosovës në vendet e huaja, që nga hapja e tyre, në të shumtën e rasteve janë, siç i quan ajo, “strehë për militantët politik”. Sipas saj, të gjitha partitë që kanë qeverisur ose kanë qenë partner koalicioni në qeverisje e kanë shfrytëzuar diplomacinë për të akomoduar militantët partiak dhe njerëzit e afërt me politikën.

“Konsiderojmë që krizat politike janë përdorur për të sjellë punësime të larta politike e nepotiste dhe më shumë se gjysma e diplomatëve të nivelit të lartë nuk i plotësojnë as kriteret minimale të një diplomati me gradën me të ulët në rajon”.

“Ne konsiderojmë që duke filluar nga stili diplomatik i ministrisë së fundit (të Jashtme), qeveria aktuale duhet që përfundimisht t’i japë fund stilit të kaluar dhe të konsiderojë rekrutimin e diplomatëve të mirëfilltë, të arsimuar, me kredenciale dhe njohuri të gjuhëve të huaja dhe të krijojë një sistem të ri diplomatik, në mënyrë që të forcojmë përfaqësimin diplomatik të Kosovës”, tha Loxha.

Ajo shtoi se në Ministrinë e Jashtme, deri më tash, ka ekzistuar mungesë e madhe e bashkëpunimit dhe koordinimit të mirëfilltë ndërmjet strukturave të brendshme të vet ministrisë, të cilat, si rrjedhojë, kanë krijuar situatë të paqartë në procesin apo zinxhirin e zbatimit të urdhrave brenda ministrisë dhe stafit diplomatik jashtë vendit.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti Artan Muhaxhiri, i cili shpreh mendimin që brenda vet ministrisë por edhe përfaqësimit diplomatik, ka nevojë për ndryshime në disa nivele.

“Ministri Konjufca duhet të jetë realist në kombinimin e mundësive dhe të potencialit që ekziston aktualisht, në mënyrë që të përfitojë maksimalisht nga kapacitetet ekzistuese që janë në Ministrinë e Punëve të Jashtme”.

“Deri më tash ka ekzistuar një qasje skajshmërisht partiake, ku njerëz krejtësisht joprofesional dhe të pa përgatitur kanë pasur pozita vendimmarrëse vetëm për shkak të përkatësisë partiake. Ministri Konjufca do të duhej ta ndalonte këtë praktikë dhe të synonte shërimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe politikës së jashtme në përgjithësi”, u shpreh Muhaxhiri.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me zyrtarët e kabinetit të Ministrit të Jashtëm, Konjufca, për të marrë përgjigje lidhur me qasjen që do ta ketë udhëheqja politike e kësaj ministrie ndaj diplomacisë dhe politikës së jashtme të vendit, si dhe të një strategjie të mundshme përballë fushatës diplomatike të Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, por ata kanë refuzuar të përgjigjen.

Në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme deri më tash kanë figuruar 116 vende që e kanë njohur Kosovën, ndonëse këtë numër e kontestojnë autoritetet e Serbisë, të cilat kanë theksuar se të paktën 15 vende kanë tërhequr ose ngrirë njohje ndaj Kosovës.

Gjatë dy vjetëve të fundit Kosova nuk ka marrë asnjë njohje. Më 20 shkurt të këtij viti, zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës deklaruan që Kosova është njohur nga Xhamajka, por vetëm një ditë më pas, autoritetet e këtij vendi kanë deklaruar që nuk e kanë njohur Kosovën.

(Kosova Sot Online)