Vazhdon përhapja e koronavirusit, Koreja Jugore i teston 250 mijë banorë

  • 25 February 2020 - 08:17
Vazhdon përhapja e koronavirusit, Koreja Jugore i teston 250 mijë banorë

Vendet që janë goditur më së shumti nga koronavirusi janë duke i shtuar përpjekjet për parandalimin e përhapjes së mëtejme të tij në kohën kur shifra e personave të infektuar në nivel global e kaloi numrin prej 80 mijë njerëzve.

Në Korenë Jugore, zyrtarët po synojnë t’i testojnë 250 mijë pjesëtarë të një sekti pas dyshimeve se përhapja më e madhe filloi gjatë një meshe të tyre.

Në Kinë, ku kanë vdekur më shumë se 2600 persona, raportohet se shkencëtarët e kanë zbuluar një vaksinë dhe po shpresojnë të kryejnë teste klinike.

Përhapja e koronavirusit e ka goditur rëndë edhe ekonominë. Vlerat e bursës ndërkombëtare në Wall Street dhe në Londër pësuan rënie të konsiderueshme, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të hënën se bota duhet të jetë e përgatitur për një pandemi të mundshme.

Autoritetet kineze kanë marrë vendim për ndalimin e shitjes dhe konsumimit të mishit të kafshëve të egra. Janë ndaluar edhe gjahu dhe transportimi i disa kafshëve, raportojnë mediet shtetërore.

Në 24 orët e fundit, Kina i konfirmoi 508 raste të reja të infektimeve dhe 71 vdekje. Në Korenë Jugore deri më tash kanë vdekur 9 persona.

(Kosova Sot Online)