Videoja e rrahjes në Drenas: Mësimdhënësi e nxënësi i rrahur e fshehën fillimisht rastin

  • 26 February 2020 - 15:22
Videoja e rrahjes në Drenas: Mësimdhënësi e nxënësi i rrahur e fshehën fillimisht rastin

Arsimtari i shkollës “Rasim Kiçina” në Drenas, Driton Qelaj, ishte filmuar duke e rrahur një nxënës së klasës së tetë. Këtë akt dhune të arsimtarit të tij, e kishte incizuar me telefon një tjetër nxënës i kësaj klase. Videoja u shpërnda nëpër rrjete sociale dhe ndikoi që mësimdhënësi të suspendohet nga puna. Nxënësi i cili publikoi videon u mor në pyetje nga policia. Të shumtë qenë ata që e kritikuan policinë për “intervistimin katër orësh” të 13-vjeçarit, por videoja e tij ndikoi që hetimet të vazhdojnë më tej pasi arsimtari dhe nxënësi i rrahur e kishin mohuar krejtësisht incidentin.

Arsimtari i Edukatës Qytetare, Driton Qelaj, është parë në xhirim duke goditur me shpulla një nxënës të klasës së tetë.

Derisa nxënësi ishte ulur, ai i bërtet të kthehet para. Së paku dy goditje të forta në fytyrë shihen dhe dëgjohen tek i jepen nxënësit.

E krejt këtë ngjarje e kishte xhiruar një shok i nxënësit i cili ishte keqtrajtuar nga mësimdhënësi.

Lidhur me këtë rast, përveç të dyshuarit dhe viktimës, policia ka intervistuar edhe dëshmitarin që ka incizuar videon.

Por, në ditën kur kishte ndodhur rasti, të intervistuar nga policia, mësimdhënësi në cilësinë e të dyshuarit dhe nxënësi në cilësinë e viktimës, nuk e kishin pranuar se ka ndodhur rasti.

“Më datë 24.02.2020, policia pasi ka pranuar informatën për një rast, ku një mësimdhënës rrah një nxënës në një klasë mësimi, ka iniciuar rastin ‘sulm’. Policia ka intervistuar viktimën (nxënës) në prezencë të prindit dhe punëtorit të Qendrës për Punë Sociale dhe të dyshuarin (mësimdhënës). Vlen të ceket se as viktima, as i dyshuari nuk e kanë pranuar se ka ndodhur rasti. Policia për rastin dhe ecurinë ka njoftuar prokurorin”, ka thënë zyra për informim e Policisë së Kosovës.

Por, pas videove të publikuara në media, prokuroria ka autorizuar policinë që të vazhdojë me hetimet e rastit.

“Më 25.02.2020 policia në vazhdën e hetimit dhe kompletimit të rastit ka ftuar si dëshmitarë dy nxënës të klasës, ku dyshohet se është kryer vepra. Që të dy nxënësit kanë qenë të shoqëruar nga prindërit e tyre, ku për shkak të moshës së dëshmitareve është ftuar edhe punëtori nga QPS-ja”, ka theksuar policia.

Ndërkaq, për intervistim është thirrur përsëri nxënësi i cili shihet në video duke u goditur nga mësimdhënësi i tij.

Në ditën e dytë të intervistimit, ai e ka pranuar se është goditur nga mësimdhënësi.

Media  mëson se në ditën e dytë të intervistimit, me datë 25 shkurt, edhe mësimdhënësi i dyshuar e ka pranuar se e ka rrahur nxënësin.

Ndërkaq raportimet se nxënësi qëndroi në polici për 4 orë, policia po i hedh poshtë.

“Koha e qëndrimit në stacion policor ka qenë më pak se dy orë (hyrja në stacion policor 17:38h dhe dalja në orën 19:21h, bazuar në incizimet e kamerave), për arsye të procedurave të inkuadrimit edhe të punëtorit të QPS-së, por qëndrimi nuk ka zgjatur assesi katër orë”, ka bërë të ditur policia.

Ndërkohë, Komuna e Drenasit, gjegjësisht Drejtoria e Arsimit ka marrë masa ndaj mësimdhënësit Driton Qelaj i cili shihet në një video duke goditur një nxënës brenda klasës. Ai është suspenduar nga puna deri në përfundim të procedurave nga Komisioni Diciplinor.

(Kosova Sot Online)