Kurti flet për mbledhjen e qeverisë, por jo edhe për takimin me Mustafën

  • 28 shkurt 2020 - 19:16
Kurti flet për mbledhjen e qeverisë, por jo edhe për takimin me Mustafën

Pasditen e sotme kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një takim me kryetarin e LDK’së Isa Mustafa. Pas takimit asnjëri prej tyre nuk foli për media.

Kryetari i VV’së menjëherë pas kësaj nëpërmjet një shkrimi në Facebook ka folur rreth mbledhjes së sotme të Qeverisë, por nuk e ka komentuar takimin me Mustafën.

Shkrimi i plotë i Kurtit në Facebook:

Sot u mbajt mbledhja e katërt e Qeverisë së Republikës së Kosovës. U morën disa vendime të rëndësishme:

– Solidariteti
U votua propozim-vendimi për ndarjen e mjeteve financiare si mbështetje për Republikën e Shqipërisë, me qëllim të ndihmës në sanimin e dëmëve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Në konferencën e donatorëve “Together for Albania” të mbajtur në Bruksel, si ekzekutiv u zotuam që shumës 500 mijë euro të dhuruar në ditën e tërmetit do t’i shtojmë edhe 200 mijë euro të tjera.

– Bordet
Qeveria jonë nuk mund t’i ofroj kushtet më të mira në vendin e punës nëse padrejtësia ndaj punëtorëve mirëmbahet. Prandaj, në mbledhjen e sotme, pas analizave të bëra, vendosëm unanimisht që Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” Sh.A. dhe ai i Mbikëqyrjes së Ndërmarrjes Publike Qendrore “Trepça” Sh.A. të shkarkohen. Është detyrë e jona që jo vetëm këto dy ndërmarrje t’i avanacojmë e t’i forcojmë. Nga vizitat që i kemi bërë, nga kapaciteti i fuqisë punëtore që kemi parë, por edhe nga historiku i ndërmarrjeve publike, kemi kuptuar që duhet një menaxhment i ri dhe jopartiak.

– Shëndetësia
Qeveria e vendit tonë po i merr të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e situatave të mundshme emergjente për epidemi, në këtë rast për Coronavirus (COVID-19). Kemi paraparë që në këtë fazë duhet t’i ndajmë 400 mijë euro si mbulim i logjistikës së nevojshme në rast se shfaqet simptoma e këtij gripi të rrezikshëm.

– Drejtësia
U votua themelimi i Grupit të Ekspertëve të Pavarur për draftimin e skenarëve dhe elementeve të reformës së Vetingut në Sistemin e Drejtësisë. Ky grup ka për dëtyrë që deri me datën 30 maj 2020 t’i paraqesë Qeverisë e Ministrisë së Drejtësisë një raport me skenar dhe alternativa për Reformën e Vettingut në Sistemin e Drejtësisë dhe opcionet që duhet ndjekur për realizimin e tij mbështetur në objektivitet, integritet profesional dhe më së shumti në parime që e bëjnë reformën të mbrojtur nga interferimi i kujtdo.

Fundjavë të këndshme.

(Kosova Sot Online)