Ligji i ri në Gjermani, eksperti i ekonomisë alarmon Kosovën

  • 29 February 2020 - 07:39
Ligji i ri në Gjermani, eksperti i ekonomisë alarmon Kosovën

“Prandaj Kosova sigurisht që do të fillon të varfërohet dhe të zbrazet akoma më shumë me lehtësi dhe pa hetueshëm nga një masë akoma më e madhe e qytetarëve, fuqi e lirë punëtore që mundë të integrohet në kushtet e tregut gjerman”, thotë Grapci për “Kosova Sot Online”.

Njohësi i politikave ekonomike, eksperti Dardan Grapci paralajmëron se një zbrazje masive e Kosovës nga popullata më vitale, ajo e përgatitur për tregun e punës, do të vazhdojë të shtohet nga fillimi i pranverës së këtij viti, për shkak të hyrjes në fuqi në Gjermani të Ligjit për Fuqinë Punëtore të Kualifikuar, i cili fillon të zbatohet nga 1 marsi, dhe rregullon hyrjen e shtetasve të huaj punë kërkues në Gjermani nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Image
Dardan Grapci

“Kosovarët asnjëherë nuk janë ndalur duke shkuar ilegalisht apo edhe legalisht nëpër shtetet BE-së për të gjetur punë, për të jetuar atje qoftë edhe duke kërkuar partner apo partnere për martesë, bashkim familjar etj, por me këtë formë tani kur Gjermania ka kërkuar hapur 1 milion punëtor për shtetin e saj, duke u hapur edhe për fuqinë punëtore të kualifikuar nga Kosova, e ka bërë pak më të lehtë shkuarjen në Gjermani, sidomos për punësim, prandaj Kosova sigurisht që do të fillon të varfërohet dhe të zbrazet akoma më shumë me lehtësi dhe pa hetueshëm nga një masë akoma më e madhe e qytetarëve, fuqi e lirë punëtore që mundë të integrohet në kushtet e tregut gjerman”, thotë eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci për “Kosova Sot Online”.

Grapci konsideron gjithçka do të zhvillohet me dokumente dhe me letra legale, që do të thotë se do të kemi largim sistematik dhe të mirë organizuar kryesisht të atyre që plotësojnë kushtet sipas kritereve të përcaktuara me ligj.

“Sa i përket rrezikut se a do zbrazet Kosova pas 1 marsit unë nuk e besoj do të jetë ajo zbrazja e karakterit masiv, por do të jetë një largim i koordinuar dhe në vazhdimësi, duke e ditur që jo gjithkush do ta ketë të drejtën për të aplikuar, për shkak se gjithashtu Ambasada Gjermane në Prishtinë i ka vënë disa kushte ku njëra ndër to është njohja fillestare e Gjuhës Gjermane dhe shkollimi i mesëm ose i lartë. Jo të gjithë mundë ta plotësojnë këtë kusht prandaj edhe për këtë donë kohë dhe përgatitje për disa muaj apo gjatë vitit. Me këto kushte deri diku qytetarët e Kosovës do të vetëdijesohen dhe do të kuptojnë se në shtetin e Gjermanisë ka Ligj, dhe do ju duhet të bëjnë kujdes nga veprimet që mund ti bëjnë atje. Prandaj unë ju bëj thirrje të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave që kur të shkojnë në Gjermani, mos të bëhen kokëfortë, por le ta respektojnë Ligjin Gjerman dhe për tjerat gjëra do ta kenë më lehtë në të ardhmen”, thotë Grapci për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)