Rexhep Selimi kërkon rezolutë për taksën

  • 02 March 2020 - 11:50
Rexhep Selimi kërkon rezolutë për taksën

Shefi i grupit parlamentar të LV-së, Rexhep Selimi ka deklaruar në seancën e thirrur nga partitë opozitare si shenjë pakënaqësie për paralajmërimin se tarifa do të hiqet, se do të duhej që këto parti të shkonin në Kuvend me një projekt rezolutë për këtë temë.

Selimi ka thënë se partitë që mblodhën nënshkrimet për taksën nuk kanë as qëndrim të njëjtë për këtë temë.

“Seancës së jashtëzakonshme për debat parlamentar për produktet serbe dhe Bosnjës, do të duhet t’i parapriste një projekt rezolutë nga ana e thirrësit të kësaj seance, atë nuk e patëm rastin që ta shohim qysh në fillim. Megjithatë, kam dronë që nuk do ta kemi as në përfundim të kësaj seance.

Duke marrë parasysh se partitë opozitare nuk kanë paraqit ndonjë qëndrim të përbashkët politik sa i përket kësaj çështje, ndonëse e kanë nënshkruar thirrjen për seancë”, tha shefi i deputetëve të LV-së.

Selimi i ka pyetur deputetët e opozitës se cilin qëndrim të liderëve do ta marrin parasysh sot.

“Qëndrimin e cilit prej liderëve do ta merrni parasysh sot, atë të kryetarit të AAK-së që kërkon që të mos hiqet taksa, apo qëndrimin e kreut të PDK-së, e sidomos presidentin të tyre, për heqjen e menjëhershme të taksës. Ne e kemi shumë të qartë se çka duhet të bëjmë dhe për këtë nuk kemi dilema”, tha ai.

Ai ka përsëritur qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje për këtë temë, duke përmendur edhe reciprocitetin.

“Kryeministri tashmë e ka bërë të ditur qëndrimin, po ashtu qëndrimi i LV-së sa i përket raporteve tregtare ekonomike me Serbinë, që nga viti 2011 e deri më sot ne kemi qëndrim të njëjtë sa i përket kësaj çështje, duam reciprocitet të plotë, ekonomik, politik dhe tregtar me Serbinë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)