Kurti e Haradinaj përplasen fort për taksën

  • 02 March 2020 - 13:17
Kurti e Haradinaj përplasen fort për taksën

Deputeti i AAK’së, Daut Haradinaj, në seancën e jashtëzakonshme ia ka drejtuar pyetje kryeministrit Albin Kurti, në të cilat u përgjigj kreu i Qeverisë.

Në debatin për tarifën ndaj Serbisë, Haradinaj ka thënë se gjatë qeverisjes së AAK’së, Kosova ishte si kështjellë në raport me Serbinë.

“Ne kemi pasur kështjellë në raport me Serbinë, por kemi qenë shumë të hapur në raport me Shqipërinë, Maqedoninë, me Malin e Zi dhe me të gjithë rajonin”, u shpreh Haradinaj.

Për këtë i është përgjigjur kryeministri Kurti, duke i thënë Haradinajt se shtetin duhet ta shohë më shumë se kështjellë të familjes e të fisit.

“Kështjella është këshjtellë e familjes, e  fisit, shteti është më shumë se kaq. Ne duhet të kalojmë në ofanzivë, nuk mund të fitosh me defanzivë. Pra, është e domosdoshme që shteti t’i përdorë levat e veta” , tha Kurti.

Ai tutje tha se tarifa e vendosur nga ish-Kryeministri Ramush Haradinaj ka pasur një rol pozitiv në ndalimin e diskutimeve për ndryshim të kufijve me Serbinë.

“Një gjë e paranoj: Tarifa 100 për qind ka ndikuar pozitivisht në ndaljen e pazarit të ndarjes së Kosovës. Por në kuotimin e sovranitetit politik e ekonimk të vendit, nuk e ka as ndikimin minimal”, ka thënë Kurti.

Kurti tutje ka thënë se ai ka qenë kundërshtari më i madh i ndryshimeve të kufijve dhe se nuk do ta lejojë Presidentin Hashim Thaçi të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë.

“Unë jam njeriu më i zëshëm kundër marrëveshjes për shkëmbim të territoreve. Presidenti aktual nuk ka autorizim për të nënshkruar marrëveshje dhe nuk ka fuqi implemtuese për anjë marrëveshje që ai mund ta imagjinojë”, ka thënë Kurti në Kuvend. 

(Kosova Sot Online)