Vazhdon përhapja e koronavirusit, rritet numri i viktimave

  • 03 March 2020 - 08:27
Vazhdon përhapja e koronavirusit, rritet numri i viktimave

Ka shkuar në 90 mijë e 936 numri i përgjithshëm i personave të infektuar me koronavirus në mbarë botën. Mbi 80 mijë raste janë shënuar në Kinë, ndërsa pas saj radhiten Koreja Jugore me rreth 4 mijë e 800, Italia me më shumë se dy mijë dhe Irani me 1500 raste.

Përpos këtyre shteteve, shifra serioze janë konfirmuar edhe në Japoni me 274 raste të infektimeve,  Franca me 191, Gjermania me 165 dhe Spanja me 120 raste. Koronavirusi është përhapur edhe në Amerikën Jugore, Afrikë dhe Australi.

Ndërkohë numri i personave të vdekur ka shkuar në 3117. Vetëm në Kinë kanë vdekur 2936 persona. Pas këtij shteti, vendet me më së shumti viktima janë Irani me 66 persona të vdekur, Italia me 52 dhe Koreja Jugore me 29 vdekje.

Vdekje nga koronavirusi janë shënuar edhe në Japoni, Francë, Australi, Filipine, Tajvan, Tajlandë dhe në Shtetet e Bashkuara. Brenda një kohe të shkurtër, në ShBA vdiqën gjashtë persona, shkruan “BBC”.

Grupi G7 i vendeve më të fuqishme është duke e hartuar një deklaratë të përbashkët në lidhje me atë se si po e planifikojnë luftimin e efekteve negative të përhapjes së koronavirusit në ekonominë botërore.

(Kosova Sot Online)