Çitaku dhe Ambasadorët e larguar rrinë në vendet pritëse derisa t’u gjendet zëvendësimi

  • 06 March 2020 - 12:58
Çitaku dhe Ambasadorët e larguar rrinë në vendet pritëse derisa t’u gjendet zëvendësimi

Glauk Konjufca ka kërkuar largimin e “peshqve të mëdhenj” të diplomacisë. Vlora Çitaku ka pranuar largimin, edhe pse thotë se Thaçi i ka kërkuar të qëndrojë në Uashington.  Vetë Presidenti nuk është deklaruar për propozimet e Konjufcës, ndërsa Ministra e Punëve të Jashtme thotë se 7 ambasadorët do të qëndrojnë nëpër shtetet përkatëse, derisa të emërohen zëvendësuesit e tyre. 

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka kërkuar shkarkimin e shtatë ambasadorëve, mes tyre edhe ambasadoren e Kosovës në Uashington, Vlora Çitakun.

Në MPJ thonë për media se shtatë ambasadorët do të vazhdojnë detyrat e tyre derisa të gjenden zëvendësuesit e tyre.

“Shefat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës të cilët janë propozuar për shkarkim do të vazhdojnë punën deri në emërimin e pasuesve të tyre, të Ngarkuar me Punë apo Ambasadorë fuqiplotë”, thuhet në përgjigjen e MPJ’së.

Pasi Konjufca e publikoi listën e atyre që dëshiron t’i shkarkojë dhe pasi Çitaku u deklarua publikisht se do ta respektonte kërkesën e Qeverisë dhe do ta lirojë detyrën, nisën të përmenden emra të mundshëm që mund të dërgohen në Uashington.

Madje zëvendëskryeministri Haki Abazi ka propozuar ambasadorin e Kosovës në Ankara. Sipas Abazit, Ilir Dugolli do të ishte i denjë për të drejtuar misionin diplomatik në SHBA.

Në Ministrinë e Konjufcës thonë se janë duke e analizuar gjendjen në secilën ambasadë, pa dhënë përgjigje se kur mund të riemërohen ambasadorët e rinj.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës është duke analizuar gjendjen në secilën përfaqësi diplomatike, dhe bazuar në të dhënat që do të mbledh, do të merr të gjitha masat e nevojshme, për një shërbim të jashtëm diplomatik sa më efikas në prezantimin dhe mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës, si dhe forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar”.

Konjufca ka bërë propozim publik për tërheqje të ambasadorëve që e kanë përfunduar mandatin e tyre. Shtatë propozimet e tij për largim kanë qenë Vlora Çitaku, Edon Cana, Lirim Grajqevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ramadan Avdiu dhe Ylber Hysa.

“Një ndër hapat e radhës është edhe kërkesa për kthimin e ambasadorëve politik që e kanë përfunduar mandatin 4 vjeçar të paraparë sipas ligjeve në fuqi të Republikës se Kosovës”, ka shkruar Konjufca të martën në Facebook.

Sipas ligjit për Shërbimin e Jashtëm, Ambasadorët dhe Shefat e Misioneve mund të tërhiqen para përfundimit të mandatit vetëm me dekret të Presidentit.

Presidenti Hashim Thaçi nuk i ka komentuar propozimet e Konjufcës në konferencën për media që e ka mbajtur të mërkurën.

MPJ’ja, kur është pyetur nga media se kur presin dekretin e Presidentit për tërheqjen nga detyra, kanë cituar vetëm nenin për tërheqje të ambasadorëve pas përfundimit të mandatit të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm. Sipas këtij neni, pas përfundimit të mandatit, ambasadorët më nuk llogaritën pjesë e Shërbimit të Jashtëm.

“Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, z. Glauk Konjufca, ka propozuar largimin e ambasadorëve duke u bazuar në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kujtojmë se ligji ndër të tjera thotë: “Të emëruarit në pozitën e Ambasadorit dhe Shefit të Misionit që nuk janë anëtarë në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati, nuk konsiderohen pjesë e Shërbimit të Jashtëm”, thuhet në përgjigjen e MPJ’së.

Megjithatë, disa prej ambasadorëve që Konjufca ka propozuar t’i largojë nga detyra, nuk janë në përfundim të mandatit të tyre.

Lirim Greiçevci është emëruar ambasador në Hagë në gusht të vitit 2018. Në të njëjtin vit është emëruar edhe Edon Cana ambasador në Sofje. Ndërkaq Ylber Hysa që më parë ka qenë ambasador në Maqedoni, ka marrë detyrën e ambasadorit të Kosovës në Mal të Zi vitin e kaluar.

(Kosova Sot Online)