E thotë eksperti: Ja pse u harrua, e nuk po zbardhet rasti i zarfeve me vota të helmuara nga Serbia

  • 06 March 2020 - 19:00
E thotë eksperti: Ja pse u harrua, e nuk po zbardhet rasti i zarfeve me vota të helmuara nga Serbia

“Procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve të 6 tetorit duhet të hetohen penalisht. Ka shumë gjasa që ky proces kishte eskaluar në proces penal, edhe rasti i votave të ardhura nga Serbia duhet të kishte një raport të qëndrueshëm zyrtarë nga KQZ-ja, e që ka munguar deri më tani”, thotë Burjani për “Kosova Sot Online”.

 

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura me 6 tetor të vitit të kaluara, që ishin vlerësuar si më të mirat të mbajtura ndonjëherë në Kosovë, nga të cilat tani janë krijuar dhe po funksionojnë edhe institucionet e reja, Qeveria dhe Kuvendi, po vazhdojnë të mbeten zgjedhje me një njollë të pa shlyer, me një mister akoma të pa zbuluar, që e pati tronditur opinionin publik dhe subjektet politike, e ai ishte skandali i pa pritur, me votat e ardhura nga Serbia, kur me 13 tetor punëtorët e Qendrës së Numërimit dhe Rinumërimit të cilët u helmuan nga zarfet me vota të ardhura nga Serbia.

Edhe pse kanë kaluar mbi katër muaj, dhe tani jemi në prag të muajit të 5-të që kur ka shpërthyer një skandal I tillë, kjo temë duket të jetë e harruar tërësisht, qoftë nga prokuroria, KQZ-ja apo edhe nga partitë politike që aso kohe e patën bërë një zhurmë shumë të madhe. Për ekspertizën e mostrave të këtij rasti, aso kohe u tha se janë "dërguar" jashtë vendit, pasi që Kosova nuk ka laboratorë për analiza të tilla, mirë deri më tani Prokuroria nuk ka dhënë asnjë informatë se cili është rezultati dhe çka është e vërteta.

 

Image
Blerim Burjani

Lidhur me këtë çështje, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti politik dhe eksperti i legjislacionit zgjedhor Blerim Burjani, i cili dyshon me të drejtë se një skandal i tillë ishte inskenuar qëllimisht nga individ të caktuar të subjekteve politike, për të krijuar situatë kaosi në fazën e numërimit dhe të rinumërimit të votave, gjë që edhe ka ndodhur me një proces të gjatë të rinumërim që mori kohë, e ku fati i subjekteve të vogla politike, për ta kaluar pragun zgjedhor, vendosej për dhjetëra vota.

Në një shtet të së drejtës, ku funksionon ligji në mënyrë të pa varur, dhe ku pacenueshmëria e votës është e garantuar me ligj si obligim i shenjtë i institucioneve kushtetuese, Burjani thotë se një rast i tillë do të shërbente për hetim gjithëpërfshirës dhe gjetjen e shpejtë të abuzuesve me votë, mirëpo kjo nuk po funksionon akoma në shtetin e Kosovës.

“Procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve të 6 tetorit duhet të hetohen penalisht. Ka shumë gjasa që ky proces kishte eskaluar në proces penal, edhe rasti i votave të ardhura nga Serbia duhet të kishte një raport të qëndrueshëm zyrtarë nga KQZ-ja, e që ka munguar deri më tani”, thotë Burjani për “Kosova Sot Online”. Mirëpo sipas Burjanit, derisa KQZ nuk funksionin si trup i pa varur profesional, por si një trup i ndërtuar nga përfaqësues të partive politike, të deleguar aty për mbrojtjen e interesave partiake, jo për ta ruajtur vullnetin e shenjtë të qytetarëve të shprehur me vota, pa rregulluesit dhe manipulimet e të gjitha formave, edhe më tutje do të jenë të pranishme, të pa hetueshme dhe të pa ndëshkueshme nga drejtësia. “KQZ-ja është një organ i partive politike, që ndërtohet dhe kontrollohet krejtësisht nga ana e tyre, prandaj pa depolitizimin e këtij institucioni nuk mund të ketë zgjedhje plotësisht të rregullta, të ndershme dhe të pa manipuluara. Ku organ partiak, së bashku me komisionar partiak po shkatërrojnë procesin e rregullt zgjedhor duke e manipuluar sipas interesave të grupeve politike. Është folur shumë për reformim të sistemit dhe ndryshime që duhet të bëhen edhe në funksionimin e KQZ-së por deri më tani asgjë nuk ka prej kësaj teme. Kjo e formë partiake e organizimit të zgjedhjeve. E funksionimit edhe të KQZ-së po iu konvenon të gjitha partive politike në vend prandaj ka kaluar kaq shumë kohë që flitet dhe nuk veprohet asgjë në drejtim të ndryshimit, të reformimit të gjithë sistemit zgjedhor por edhe të ndryshimeve kualitative, në KQZ, menaxhimin profesional të zgjedhjeve nga ky institucion”, thotë Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)