Berlini do t’i strehojë 100 fëmijë të refugjatëve nga kampet greke

  • 10 March 2020 - 10:07
Berlini do t’i strehojë 100 fëmijë të refugjatëve nga kampet greke

Senatori për çështje të brendshme i kryeqytetit gjerman i ka thënë televizionit RTL se Berlini do t’i strehojë 80 deri 100 fëmijë të refugjatëve sirianë, të cilët tash për tash po qëndrojnë në kushte të rënda në kampet greke.

Politikanët evropianë po përpiqen të gjejnë marrëveshje për atë se çfarë të bëjnë në lidhje me dhjetëra mijëra refugjatë, të cilët po përpiqen të hyjnë në territorin e Greqisë pasi Turqia ua hapi dyert drejt kufijve të BE-së.

Partitë e koalicionit qeveritar në Gjermani thanë të hënën se janë të gatshme t’i strehojnë qindra fëmijë nga kampet greke, në bashkëpunim me vendet tjera të BE-së. Përparësi për strehim do të kenë fëmijët e sëmurë, fëmijët nën moshën 14-vjeçare dhe ata që nuk janë të shoqëruar nga familjarët, shkruan “Reuters”.

I pyetur se kur fëmijët mund të arrijnë në Berlin, zyrtari Andreas Geisel tha: “Tash varet nga ajo se sa shpejt do ta miratojë planin qeveria gjermane. Mendoj se sot ka më shumë gjasa se nesër.”

Turqia ka kërkuar më shumë përkrahje nga Evropa për strehimin e 3.6 milionë refugjatëve sirianë. Në vitin 2016, BE-ja kishte arritur marrëveshje me Turqinë për dhurimin e miliarda eurove që të pengohej lëvizja e refugjatëve drejt territorit të Bashkimit Evropian.

(Kosova Sot Online)