Australi: Pesë të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit

  • 11 March 2020 - 10:01
Australi: Pesë të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit

Pesë persona kanë vdekur pasi një aeroplan i vogël u rrëzua në rajonin Queensland të Australisë.

Policia lokale konfirmoi se aeroplani me dhjetë ulëse dy herë ishte përpjekur të lëshohej në tokë në kohën kur po mbretëronte mot i lig, para se të rrëzohej gjatë përpjekjes së tretë për aterim.

“E dimë se në aeroplan ndodheshin pesë persona. Tash për tash, po përpiqemi t’i kontaktojmë të afërmit e tyre për t’i informuar rreth tragjedisë. Askush nuk ka mbijetuar në aksident”, tha zyrtari policor, Chris Hodgman.

Mbetjet e aeroplanit u gjetën në një pjesë të bregdetit në skajin verilindor të Australisë. “Kushtet e motit ishin goxha të rënda në ato momente, por nuk do të jap ndonjë koment për faktorët e mundshëm të aksidentit”, shtoi ai.

Policia konfirmoi se të gjitha viktimat ishin nga qyteti Cairns, por tha se nuk do t’i publikojë emrat e tyre për shkak të respektit ndaj familjeve, shkruan “The Guardian”.

Aeroplani i rrëzuar ishte duke operuar si pjesë e shërbimit qeveritar për transportimin e komuniteteve që jetojnë në zonat e skajshme.

(Kosova Sot Online)