Burri i Vjosa Osmanit kapet keq me këshilltarin e Thaçit në twitter

  • 13 March 2020 - 12:21
Burri i Vjosa Osmanit kapet keq me këshilltarin e Thaçit në twitter

Këshilltari  i Presidentit të Kosovës, Artan Behrami, dhe burri i kryekuvendares, Vjosa Osmani, janë përplasur keq në twitter.

Një debat të tillë mes Behramit dhe Prindon Sadriut e ka nxitur një shkrim i të parit, i cili ka thënë se Albin Kurti, Veton Surroi dhe Vjosa Osmani kanë një gjë të përbashkët “ Luftën me Don Kishotin”, për të gjetur një vend në historinë e Kosovës.

“Është një gjë e përbashkët që e kanë Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Veton Surroi. Luftën e Don Kishotit: gjetja e një vendi në historinë e Kosovës. Asnjëri në luftën e UÇK’së për çlirimin nga Serbia dhe asnjëri në deklarimin e pavarësisë nga Serbia. Por historia ka një vend për liderët, jo ndjekësit”, ka shkruar Behrami në profilin e tij zyrtar në twitter.

Ndaj një deklarate të tillë ka reaguar burri i Vjosa Osmanit, Prindoni. Ai i ka thënë Behramit se është turp që një person si ai prezanton zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Sadriu tutje ka thënë se gjithmonë do të ketë vend në faqen e errët të historisë për ata që përçajnë dhe shkaktojnë urrejtje.

Pas kësaj replike të Prindon Sadriut ka reaguar përsëri këshilltari politik i Thaçit, duke thënë se në të vërtetë ka gjithmonë vend në anën e errët të historisë për ata që përçajnë, duke përmendur kështu fjalimet e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës ku u diskutua për raportet me SHBA’në.

“Unë jam një këshilltar politik. Por është për turp se si një diplomat i Kosovës vepron në mënyrë joprofesionale dhe marrin anë politike publikisht. Unë pajtohem se është një vend i errët në histori: ata që nxisin urrejtje dhe përçarje janë Kryeministri dhe Kryetarja e Parlamentit. Shijoj xhirimet e djeshme si një paragjellë”, ka shkruar tutje Artan Behrami.

Duket se gjithë përplasja mes zyrës së presidentit me kryeministrin dhe krye parlamentaren ka ardhur si pasojë e fjalimeve të këtyre dy të fundit në seancën e Kuvendit të Kosovës. Kurti ka akuzuar Thaçin se ka bërë marrëveshje të fshehtë me Serbinë , ndërkohë Vjosa Osmani ka thënë se taksa ndaj Serbisë duhet të largohet në të njëjtën kohë me largimin e Thaçit nga dialogu, që sipas saj e ka izoluar në kundërshtim me Kushtetutën.

(Kosova Sot Online)