Koreja Jugore raporton më shumë shërime se infektime të reja me koronavirus

  • 14 March 2020 - 09:19
Koreja Jugore raporton më shumë shërime se infektime të reja me koronavirus

Koreja Jugore i ka raportuar 107 raste të reja të infektimeve me koronavirus. Sidoqoftë, lajmi i mirë është që numri i personave të shëruar është më i madh se numri i personave të infektuar brenda një dite. Autoritetet thanë se 204 persona janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet.

Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në ditën paraprake i kishte raportuar 110 raste të reja, që do të thotë se numri i infektimeve ka filluar të zvogëlohet. Sidoqoftë, shifra e përgjithshme e të infektuarve ka shkuar në 8 mijë e 86 persona.

Rasti i parë me koronavirus në vendin e largët aziatik ishte regjistruar më 20 janar dhe besohet që përhapja e madhe kishte filluar në një meshë. Prej asaj kohe, në Korenë Jugore kanë vdekur 73 njerëz nga koronavirusi.

Ndërkohë zyrtarët koreanë bënë thirrje për izolim. “Është fundjavë dhe ne ju kuptojmë që jeni të zemëruar, por ju lutemi që të qëndroni në shtëpi dhe t’i shmangni kontaktet me personat e tjerë sa më shumë që është e mundur”, tha një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë.

Nga 107 rastet e reja, 62 prej tyre u shënuan në qytetin Daegu, ku është konfirmuar numri më i madh i rasteve pas mbajtjes së meshës së një sekti të krishterë.

Koreja Jugore e ka numrin më të madh të infektimeve me koronavirus në Azi pas Kinës dhe deri më tani i ka testuar qindra mijëra njerëz, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)