Zyrtare: Shkaku i koronavirusit Presidenti shtynë zgjedhjet në Podujevë

  • 14 March 2020 - 17:41
Zyrtare: Shkaku i koronavirusit Presidenti shtynë zgjedhjet në Podujevë

Rekomandimi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike është zbatuar nga Presidenti i Republikës për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë. Burime  kanë thënë se Shefi i Shtetit e ka nënshkruar dekretin për pezullimin e zgjedhjeve shkaku i koronavirusit.

Shefi i Shtetit, Hashim Thaçi, ka nënshkruar dekretin për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë pasi një gjë e tillë është rekomanduar nga Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Në mbështetje të nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës (GZ, nr. 47, 25 janar 2009), nenit 4 të Ligjit nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës (GZ, nr. 32, 15 qershor 2008), si dhe duke marrë parasysh kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të pranuar nga Zyra e Presidentit më 14 mars 2020, Presidenti i Republikës së Kosovës ka nxjerr vendim për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës. Data e zgjedhjeve do të përcaktohet më vonë, pas vlerësimit të gjendjes epidemiologjike dhe pas pranimit të vlerësimit se do të jetë e sigurt që të mbahen zgjedhjet për Kryetar të Komunës së Podujevës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Zgjedhjet në Podujevë ishin planifikuar të mbaheshin të dielën ndërsa po shtyhen pasi në Kosovë ka shpërthyer koronavirusi. Deri tash janë infektuar të paktën tre persona. Një nga Istogu ndërsa tre nga Vitia.

Zgjedhjet në Podujevë u planifikuan të mbahen të dielën pasi Kryetari i deritashëm u bë Ministër i Punëve të Brendshme.


(Kosova Sot Online)