Ismaili: T’i përkrahim ata që vetizolohen, përveç vetes na bëjnë dobi edhe neve

  • 17 mars 2020 - 13:51
Ismaili: T’i përkrahim ata që vetizolohen, përveç vetes na bëjnë dobi edhe neve

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka shkruar sot rreth situatës së krijuar në Kosovë nga COVID-19. Ismaili ka thënë se në këtë kohë mjetet më të forta për të fituar luftën kundër koronavirusit janë mirëkuptimi, dhembshuria dhe ndihma për njëri-tjetrin.

Ismaili ka thënë se ata që vendosin të vetizolohen, duhet të përkrahen dhe të mos stigmatizohen, meqenëse vetizolimi i tyre është në të mirën e shumicës.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje që të jemi të ndjeshëm ndaj atyre që vendosin të vetizolohen, dhe t’i mbështesim marrë parasysh gjendjen e tyre shpirtërore e psikologjike.

Shkrimi i plotë:

Një gjë me shumë rëndësi:

Në luftë me viruset ngjitëse, një ndër armët më të forta për të fituar janë dhembshuria, mirëkuptimi dhe ndihma për njëri-tjetrin.

Është tejet e nevojshme që individët që hyjnë në vetizolim t’i përkrahim si shoqëri e jo t’i stigmatizojmë.

Çdo njeri që këtyre ditëve ka pasur kontakt me ndonjë të dyshuar, që ka ardhur nga shtetet me rrezikshmëri të lartë infektimi, dhe vendos masa izoluese – është duke na bërë një shërbim neve dhe më të dashurve tanë.

Andaj mbështetja jonë private dhe publike është e nevojshme për të gjithë këta individë. Gatishmëria e tyre mund të rezultojë e sukesshme, vetëm nëse ne me mbështetjen tonë për ta të bëhemi pjesë e zgjidhjes së problemit.

Vetizolimi i këtyre individëve më shumë është masë mbrojtëse për neve sesa për ta. Solidaritetin e tyre ne duhet ta kthejmë me më shumë solidaritet.

Me ndjeshmërinë tonë ne mund të ndikojmë që frika nga stigma dhe turpi të mos përkeqësojmë edhe gjendjen e tyre psikologjike e shpirtërore. Prandaj ne duhet që gatishmërisë së tyre për vetizolim t’i duartrokasim dhe t’i japim mirënjohjen e dashurinë tonë.

Andaj për të gjithë të vetizoluarit – Faleminderit!

Në emrin tim, të Arizonës, fëmijëve të mi Omerit e Umës, e sidomos në emër të babait tim 82 vjeçar.

Ju kemi borxh 

(Kosova Sot Online)