Rusia regjistron vdekjen e parë nga coronavirusi

  • 19 March 2020 - 12:35
Rusia regjistron vdekjen e parë nga coronavirusi

Rusia ka raportuar vdekjen e pacientit të parë nga coronavirusi, ndërsa bëhet fjalë për një grua 79-vjeçare nga Moska.

Sipas mediave të huaja, e moshuara vdiq të enjten në një spital të sëmundjeve infektive në Moskë, pasi kishte probleme tjera shëndetësore, përfshirë diabetin dhe hipertensionin.

Numri i rasteve nga coronavirusi në Rusi është dyfishuar gjatë javës së kaluar, me 147 të prekur që nga dita e djeshme.

Dje u raportua se Moska ka nisur ndërtimin e një spitali të ri ngjashëm me objektet që u ndërtuan në Kinë, në kulmin e shpërthimit të virusit. Spitali i ri do të ketë shtretër për 500 pacientë dhe do të jetë gati për muajin tjetër.

Ndërsa qeveria ka pohuar se suksesi i saj ka buruar nga mbyllja e hershme e kufijve me Kinën dhe izolimi i shpejtë i rasteve të dyshuara, megjithatë ekzistojnë shqetësime se Rusia mund të jetë duke nënvlerësuar numrin zyrtar të atyre të infektuar me coronavirus në mënyrë që të shmangë panikun publik.

(Kosova Sot Online)