Kujdes! Nëse ju vjen një mesazh i tillë për koronavirusin në telefon, është fals!

  • 23 March 2020 - 14:29
Kujdes! Nëse ju vjen një mesazh i tillë për koronavirusin në telefon, është fals!

Në një kohë që të gjithë jemi të shqetësuar me përhapjen e koronavirusit në vend, ka njerëz që përfitojnë nga situata e ndjeshme dhe tallen duke dërguar mesazhe vërtet të frikshme.

Një rast i tillë është denoncuar nga mjeku Infeksionist Pëllumb Pipero, i cili ka publikuar foton e një mesazhi që ka marrë dikush në emër të tij.

Një qytetar ka marrë mesazhin nga dikush që pretendon se është doktor Pipero, në të cilin thuhet se duhet të karantinohesh pasi një i afërm ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Pipero shprehet se ky veprim është i dëmshëm për situatën në të cilën po kalon vendi ynë dhe se do të dënohet.

Më poshtë postimi i plotë i mjekut Pipero:

Të Dashur Qytetarë!

Sapo lexova një mesazh të tillë i cili jo vetëm nuk është dhe nuk mund të jetë i imi, dhe si i tillë është i dënueshëm, por mbi të gjitha është shumë i dëmshëm për situatën që kalon jo vetëm vendi ynë por gjithë bota nën peshën e një pandemie shumë serioze që deri tani ka shënuar mijëra viktima, dhe për të cilën ende nuk kemi një armë në dorë për ta luftuar, as medikamente të certifikuara dhe as vaksinë. E vetmja armë që kemi, është në duart tuaja, të qëndroni në shtëpi, të bëni durim dhe të respektoni këshillat tona. Mesazhe si ky që po lexoni janë shumë të dëmshme, madje dhe të dënueshme! Këshilloj këdo që guxon e shkruan në emrin tim sot, ose të kolegëve të mi nesër, të mos luajë kësisoj. Sot në kemi përballë coronavirusin dhe duhet të mjekojmë të sëmurët e të gjurmojmë e identifikojme rastet e kontaktit, nesër ligji do gjurmojë e vërë para përgjegjëisë të gjithë ata që guxojnë të luajnë me jetën e qytetarëve!

Falemnderit!

PS: Emrin e marrësit të mesazhit e kam fshirë!

(Kosova Sot Online)