Infermierja e QKUK’së që doli pozitive me COVID-19 është në gjendje të mirë

  • 27 mars 2020 - 20:17
Infermierja e QKUK’së që doli pozitive me COVID-19 është në gjendje të mirë

Infermierja e QKUK’së që doli pozitive me COVID-19 është në gjendje të mirë

Infermierja e Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës e cila doli pozitive në COVID-19 nuk kishte asnjë simptomë të sëmundjes.

Infektologu Salih Ahmetaj ka konfirmuar se ajo u vërtetua më këtë virus vetëm pasi iu nënshtrua testit, derisa besohet se u infektua pas kontaktit që pati me pacientët e shtrirë aty.

“Fatbardhësisht, gjendja klinike e saj është e mirë. Ka një infeksion shumë të lehtë”, është shprehur ai.

Ahmetaj ka thënë se rreziku më i madh i prekjes së stafit shëndetësor ishte në muajin shkurt, kur kjo klinikë merrej me rastet e dyshuara, raporton ktv.

Ndërsa këtë të premte, Klinika Infektive ka liruar pacientin e parë të shëruar nga COVID-19.

Pacienti i shëruar është djali i 82-vjeçarit i cili javën e kaluar vdiq pasi ishte i prekur nga coronavirusi.

Sh. H. nga Dumnica e Epërme e Podujevës, ka konfirmuar se është liruar nga spitali si i shëruar nga ky virus dhe tanimë do të qëndrojë në shtëpi.

62-vjeçari ka thënë se kishte ardhur nga Italia më 5 mars nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe, sipas familjarëve të tij, simptomat e sëmundjes – si kollitje dhe temperaturë – atij i ishin shfaqur të nesërmen.

Në Klinikën Infektive po vazhdojnë të trajtohen 34 pacientë, 7 prej tyre në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Mjekët thonë se shumicës prej tyre po u jepet edhe oksigjeno-terapia, por kanë edhe sëmundje kronike të tjera.

Në Kosovë, zonat më të prekura deri më tani janë Malisheva, Gjilani e Vitia.

(Kosova Sot Online)