Deputetja e VV’së përjashton koalicionet me të gjitha partitë - zgjedhjet do ti fitojmë...

  • 29 mars 2020 - 13:33
Deputetja e VV’së përjashton koalicionet me të gjitha partitë - zgjedhjet do ti fitojmë...

Zyrtarët e Vetëvendosjes po pajtohen me Albin Kurtin, i cili tha në Kuvend, se rrëzimi i Qeverisë ishte i domosdoshëm. Deputetja e VV’së, Fitore Pacolli ka thënë se ngritja e nevojshme e Qeverisë Kurti do të ndodhë pasi koalicion të vetëm do të bëjnë me popullin.

Zyrtarët e Vetëvendosjes po deklarohen se të vetmin koalicion që do të bëjnë pas ngritjes do të jetë me popullin. Kjo pasi partinë e vetme me të cilën kishin thënë se do të lidheshin, LDK, e rrëzoi Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti me përkrahjen edhe të më shumë se 2/3 të deputetëve.

Tash, zëra brenda VV janë shtuar

“QeveriaKurti përsëri do të udhëheq vendin drejtë zhvillimit e integrimit. Por, kësaj radhe koalicion do të bëjmë vetëm me popullin”, ka shkruar Fitore Pacolli në grupin më të madh në FB ku po bëhet thirrje për përkrahje të Albin Kurtit dhe linçim të të gjitha atyre që s’janë me Shefin e Vetëvendosjes.

Në zgjedhjet e fundit, VV kishte thënë se bëjnë koalicion vetëm me Partia e Isa Mustafës. E kishin përjashtuar PDK, AAK e NISMA’në. Me AKR kishin bashkëpunuar por i kishin ndarë rrugët kur Pacolli u bë bashkë me Limajn në garën për deputetë të Parlamentit të Kosovës

Pasi ka rënë Qeveria, Vetëvendosje ka paralajmëruar se s’do të dërgojë fare emrin për mandatarin e Qeverisë. Partia e Albin Kurtit po kërkon zgjedhje por pas përfundimit të pandemisë me koronavirusin.

Megjithëkëtë, nëse dikush nuk e shfrytëzon të drejtën ligjore e kushtetuese, në demokraci, e humbet sepse s’mund të mbajë të bllokuar institucionin.

Rrjedhimisht, Presidenti i Republikës përsëri detyrohet me Kushtetutë t’ia japë për herën e parë mundësinë Vetëvendosjes të formojë Qeverinë. Nëse dështon ose nuk e shfrytëzon këtë të drejtë atëherë pritet që Gjykata Kushtetuese të interpretojë sa i lejohet dikujt të mos e përdorë të drejtën për të dhënë dhe a mund të keqpërdoret një e drejtë e tillë.

Presidenti Hashim Thaçi  pas takimit me Ambasadorin e SHBA’së në Kosovë, Philip Kosnett, ka paralajmëruar përfshirjen e Gjykatës Kushtetuese në gjithë këtë situatë. Është përmendur “Roli Vital” i Kushtetueses.

“Po ashtu, ne diskutuam edhe për procedurat e mëtejme për formimin e një qeverie të re, të cilat do të bazohen plotësisht në Kushtetutën e Kosovës, duke njohur në këtë proces edhe rolin vital të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratën e Presidentit pas takimit me Kosnett.

Një interpretim i Gjykatës Kushtetuese për rastin VLAN i ka dhënë të drejtë Presidentit të vendos lidhur me atë se kujt do t’ia japë mandatin për herën e dytë. Diskrecioni i Shefit të Shtetit ndërlidhet me kriteret mbizotëruese që i plotëson partia ose koalicioni që vendi të mos shkojë në zgjedhje. Deri tash dy kritere janë që mos të ketë zgjedhje të reja siç është pandemia dhe kriteri i dytë është fakti se 2/3 e deputetëve janë bërë bashkë në rrëzimin e Qeverisë.

Image

(Kosova Sot Online)