Kryeministri intepreton mocionin konstruktiv dhe dekonstruktiv të Kushtetutës gjermane

  • 29 March 2020 - 16:22
Kryeministri intepreton mocionin konstruktiv dhe dekonstruktiv të Kushtetutës gjermane

Shefi i Qeverisë, Abin Kurti, i ka bërë interpretime Kushtetutës së Kosovës sikur të ishte ajo e Gjermanisë, Spanjës, Hungarisë apo Izraelit kur ka folur për mocionin konstruktiv dhe dekonstruktiv.

Kushtetuta gjermane dhe disa kushtetuta të vendeve tjera parashohin që mocionin konstruktiv kur rrëzohet Qeveria dhe në të njëjtën kohë propozohet mandatari i ri i Qeverisë dhe votohet. Kushtetua gjermane parasheh edhe mocionin dekonstruktiv ku votohet për rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje.

Këtë interpretim e ka përdorur Shefi i Qeverisë në detyrë, Albin Kurti, kur ka reaguar sot ndaj paralajmërimeve të Presidentit, Hashim Thaçi se do të kërkojë të takohet me partitë politike për të nisur procedurat për formimin e Qeverisë së re.

Kurti, në reagimin e gjatë, në Fb, përmend këto dy koncpete që s’janë fare të përmendura në Kushtetutën e Republikës, e cila ishte miratuar më 9 prill 2008 dhe kishte hyrë në fuqi më 15 Qershor 2008

“Mocioni i mosbesimit i 25 marsit 2020 ishte i llojit destruktiv: synonte rrëzimin e qeverisë. Kaq. Nuk ishte mosbesim konstruktiv me ç’rast Kuvendit do t’i paraqitej njëkohësisht edhe një ofertë e re për qeveri të ardhshme. Vota PËR me 25 mars 2020 ishte asgjë më shumë sesa votë KUNDËR. Si e tillë ajo shkëputi lidhjen pushtet-popull. E vuri qeverinë në pyetje në mënyrën ku populli (dhe jo Kuvendi) jep përgjigje. Kuvendi e rrëzoi qeverinë në Kuvend. Qeveria në detyrë qeveris”, shkruan Kurti.

Ndërkohë, në Kushtetutën e Kosovës, në nenin 100, flitet vetëm për “Mocionin”, pa e kategorizuar atë në konstruktiv apo dekonstruktiv.

Aty shkruan se mocionin mund të ngrihet me propozimin e 1/3 e të gjithë deputetëve ndërsa një procedurë të tillë mund ta kërkojë edhe Kryeministri për vete.

Veç kësaj, mocioni ka sukses nëse kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit ku pastaj ndërrohet edhe statusi nga Qeveri e zgjedhur në Qeveri në detyrë.

Ndryshe, në Kushtetutën e Kosovës, s’përmendet askund as si fjalë koncepti “konstruktiv” apo “dekonstruktiv”.

Gjithë këto interpretime kanë nisur të bëhen nga liderët politikë pasi Qeveria e Kosovës është shkarkuar me votën e më shumë se 2/3 e deputetëve të Parlamentit.

Partia e Albin Kurtit përpos që ka thënë se s’do të dërgojnë emrin për mandatar të ri kanë dhënë edhe interpretime tjera kushtetuese se Presidenti s’mund të vazhdojë me procedurën kushtetuese por duhet shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Në Kushtetutën e Kosovës, neni 95, shpjegohet se si formohet Qeveria. Ky nen është interpretuar edhe në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Në nenin 80, Presidentit i jepet mundësia të shpërndajë Kuvendit pas mocionit të mosbesimit por nuk e obligon pasi aty shkruan se: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.

Kur pozita e Kryeministrit mbetet e lirë për shkak të dorëheqjes apo shkarkimit, atëherë Presidenti kërkon emrin për Shef të ri të Qeverisë nga partia fituese. Nëse partia e parë dështon të formojë Qeverinë, atëherë Presidenti ka diskrecion dhe vendos t’ia japë mandatin partisë që s’e dërgon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Mirëpo, problemi më i madh te Kushtetuta e Kosovës është te afatet kohore, pasi aty s’përcaktohen se sa koha ka partia fituese të dërgojë emrin te Presidenti.

Megjithëkëtë, nëse dikush nuk e shfrytëzon të drejtën ligjore e kushtetuese, në demokraci, e humbet sepse s’mund të mbajë të bllokuar institucionin.

Rrjedhimisht, Presidenti i Republikës përsëri detyrohet me Kushtetutë t’ia japë për herën e parë mundësinë Vetëvendosjes të formojë Qeverinë. Nëse dështon ose nuk e shfrytëzon këtë të drejtë atëherë pritet që Gjykata Kushtetuese të interpretojë sa i lejohet dikujt të mos e përdorë të drejtën për të dhënë dhe a mund të keqpërdoret një e drejtë e tillë.

Presidenti Hashim Thaçi  pas takimit me Ambasadorin e SHBA’së në Kosovë, Philip Kosnett, ka paralajmëruar përfshirjen e Gjykatës Kushtetuese në gjithë këtë situatë. Është përmendur “Roli Vital” i Kushtetueses.

“Po ashtu, ne diskutuam edhe për procedurat e mëtejme për formimin e një qeverie të re, të cilat do të bazohen plotësisht në Kushtetutën e Kosovës, duke njohur në këtë proces edhe rolin vital të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratën e Presidentit pas takimit me Kosnett.

Një interpretim i Gjykatës Kushtetuese për rastin VLAN i ka dhënë të drejtë Presidentit të vendos lidhur me atë se kujt do t’ia japë mandatin për herën e dytë. Diskrecioni i Shefit të Shtetit ndërlidhet me kriteret mbizotëruese që i plotëson partia ose koalicioni që vendi të mos shkojë në zgjedhje. Deri tash dy kritere janë që mos të ketë zgjedhje të reja siç është pandemia dhe kriteri i dytë është fakti se 2/3 e deputetëve janë bërë bashkë në rrëzimin e Qeverisë.

(Kosova Sot Online)