Siria, Iraku dhe Libani dyshohen për mijëra raste të fshehta të koronavirusit

  • 31 March 2020 - 09:53
Siria, Iraku dhe Libani dyshohen për mijëra raste të fshehta të koronavirusit

Zyrtarët shëndetësorë që po merren me përcjelljen e situatës së shëndetit publik në Irak, Siri dhe Liban kanë frikë se numri i të infektuarve ne koronavirus është shumë më i madh se shifrat zyrtare që po publikohen nga qeveritë e këtyre shteteve.

Ata thonë se disa grupe që nuk kontrollohen nga qeveritë po i vendosin në karantinë disa komunitete në zonat që janë jashtë mbikëqyrjes së shteteve.

Disa zyrtarë, punëtorë të organizatave humanitare dhe vëzhgues ndërkombëtarë thonë se në disa pjesë të Libanit dhe Irakut ka gjasë të kenë mijëra persona të infektuar dhe se mungesa e publikimit të këtyre rasteve paraqet rrezik serioz shëndetësor gjatë tre muajve të ardhshëm.

Këta zyrtarë gjithashtu pretendojnë se pacientët me koronavirus po mbahen në shtëpi dhe po ruhen nga grupe të caktuara politike në pjesët qendrore dhe jugore të Irakut dhe në jug të Libanit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Një skenar edhe më i keq besohet se është duke u zhvilluar në Siri, ku strukturat e dobëta shtetërore, shtatë milionë njerëz të shpërngulur dhe fakti se pjesë të mëdha të vendit janë jashtë kontrollit të qeverisë e bëjnë pothuajse të pamundur kontrollimin e përhapjes së virusit.

Lidhjet tokësore dhe ajrore mes këtyre tri shteteve tashmë janë ndërprerë pothuajse plotësisht, por ka shqetësime se një numër i madh i bartësve të virusit kanë pasur mundësi të lëvizin para se të mbylleshin kufijtë në mesin e muajit mars.

(Kosova Sot Online)