Shtëpitë e të moshuarve në Evropë po përballen me vdekje të shumta
Një nga një, banorët e një shtëpie për të moshuar në Francë po detyrohen të izolohen në dhomat e tyre. Megjithatë, askush nuk e di saktësisht sa prej tyre janë të infektuar me koronavirus.
Qeveritë e vendeve më të prekura nga virusi i ri – Italia, Spanja dhe Franca – nuk janë duke kryer teste të vazhdueshme për koronavirus në shtëpitë e të moshuarve dhe nuk po i testojnë as ata që po vdesin në këto vende.
Varësia e madhe në spitale për llogaritjen e viktimave të koronavirusit paraqet problem të veçantë për vlerësimin e përhapjes së virusit në mesin e personave të moshuar, shkruan “France24”.
Në dy rajonet franceze që janë prekur më së pari nga pandemia është raportuar 30 për qind rritje e numrit të vdekjeve të të moshuarve nga 1 deri më 16 mars në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në Madrid, një zëdhënës rajonal pranoi se rasti i infektimit të një gruaje të moshuar me koronavirus u konfirmua vetëm pas vdekjes dhe atë me këmbënguljen e mjekut të shtëpisë së të moshuarve ku po qëndronte e ndjera.
Në Francë, kur dy banorë që banojnë në të njëjtin objekt për strehim dalin pozitivë në teste, të gjithë banorët e tjerë llogariten si të rrezikuar, por këta nuk po testohen dhe nuk po përfshihen në shifrat zyrtare, sepse ato e pasqyrojnë vetëm numrin e njerëzve që kërkojnë ndihmë në spitale.
(Kosova Sot Online)