Arabia Saudite kërkon nga besimtarët që t’i shtyjnë rezervimet për haxh

  • 01 prill 2020 - 13:55
Arabia Saudite kërkon nga besimtarët që t’i shtyjnë rezervimet për haxh

Autoritetet e Arabisë Saudite kanë bërë thirrje që besimtarët që kanë planifikuar të shkojnë në haxh këtë vit t’i shtyjnë rezervimet për shkak të paqartësive të krijuara nga përhapja e koronavirusit.

Ministri për haxh, Mohammed Banten, tha se mbretëria është e shqetësuar për sigurinë e pelegrinëve dhe kërkoi nga njerëzit që të presin para se të bëjnë kontrata për udhëtim dhe qëndrim në vendet e shenjta të myslimanëve.

Pritej që rreth dy milionë njerëz të udhëtojnë në Mekë dhe Medinë në korrik dhe gusht të këtij viti për të marrë pjesë në ceremoninë e përvitshme islame.

Një pelegrinazh tjetër më i vogël, umreja, tashmë është pezulluar si masë parandaluese kundër përhapjes së koronavirusit, shkruan “BBC”.

Arabia Saudite e ka ndaluar hyrjen e vizitorëve në Mekë, Medinë dhe në kryeqytetin Riad. Deri më tani, në këtë shtet janë shënuar 1563 raste të infektimeve dhe 10 viktima të virusit të ri.

Ndryshe, haxhi është pelegrinazh i detyrueshëm për besimtarët myslimanë që janë të shëndoshë dhe që kanë mundësi financiare për t’i mbuluar shpenzimet e veta.

(Kosova Sot Online)