Komuna e Pejës i ka identifikuar objektet për vendosje në karantinë

  • 04 prill 2020 - 08:08
Komuna e Pejës i ka identifikuar  objektet për vendosje në karantinë

Komuna e Pejës ka identifikuar katër objekte publike, të cilat ndonëse kanë destinime të tjera, mund të shfrytëzohen për vendosjen e personave të prekur nga koronavirusi.

Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë në Pejë dhe zyrtar i shtabit emergjent të kësaj komune, ka thënë për medien se  objektet janë të identifikuara, por ende nuk janë të përgatitura që menjëherë të sistemohen pacientët.

“I kemi identifikuar katër objekte, të cilat nuk janë të përgatitura, por në rast të nevojës janë në gatishmëri që Qeveria t’i përshtatë dhe t’i ambientojë për karantinimin e pacientëve me virusin COVID-19”, ka thënë Loci.

Njëri nga ta është objekti i Qendrës së Mjekësisë Familjare numër 5 në lagjen “Fidanishte” të Pejës. Aneksi në këtë objekt më herët ka qenë qendra e vaksinimit dhe nga fillimi i këtij viti funksion si shërbimi i kujdestarisë.

Ajo hapësirë është rinovuar dhe e gatshme që të vendosën shtretërit dhe pajisjet e tjera mjekësore që nevojiten.

Objekti tjetër i paraparë në rast nevoje për karantinën e pacientëve me koronavirus është shtëpia për qëndrim ditor të personave të moshës së tretë, që gjendet afër Pallatit të Kulturës. Ky objekt i përfunduar vjeshtën e vitit të kaluar, që është një lloj “kafe bari”, për pensionistët, ende nuk është lëshuar në funksion për shkak të mungesës së inventarit.

“E kemi paraparë edhe këtë objekt të modifikohet në rast nevoje për karantinë. Aty është salla e madhe dhe kishte zënë një numër goxha të madh të shtretërve”, ka thënë Loci.

Objekti i tretë, sipas tij, është qendra për përkujdesjen e të moshuarve, ku pronari ia ka ofruar komunës në rast nevoje, dy katet e epërme që kanë hyrje të veçantë. Aty dhomat janë me shtretër, derisa kati përdhes është i banuar.

Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar 135 raste me koronavirus, është shënuar një viktimë dhe zyrtarisht janë raportuar si të shëruar 16 persona.

(Kosova Sot Online )