KDI: Procesi i bisedimeve me Serbinë të mos vazhdojë pa u krijuar Qeveria e re

  • 10 prill 2020 - 14:45
KDI: Procesi i bisedimeve me Serbinë të mos vazhdojë pa u krijuar Qeveria e re

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet pas kalimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë nga ana e Kuvendit të Kosovës, veçanërisht ato në kuadër të procesit të bisedimeve me Serbinë. Pavarësisht thirrjeve për bashkërendim institucional dhe ndërtimin e konsensusit politik rreth këtij procesi, spektri politik mbetet ende i ndarë. Kjo përçarje politike po ndikon në zhvillimet e politikës së brendshme të Kosovës dhe raportet e saj me partnerët ndërkombëtar.

Duke konsideruar situatën aktuale në të cilen ndodhet vendi, KDI vlerëson se:

1. Kushtetuta në nenin 4 të saj përcakton qartë formën e Qeverisjes dhe ndarjen e pushteteve, ku sanksionon që Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve e politikave shtetërore dhe i nënshtrohet kontrollin parlamentar. Në anën tjetër, neni 95.3 përcakton që Qeveria zgjidhet me shumicën e deputetëve të Kuvendit. Në moment të votimit të mocionit të mosbesimit, ajo Qeveri nuk e ka besimin e institucionit të Kuvendit dhe mbetet në detyrë për të ushtruar funksionet e përditshme, për të evituar vakum institucional, deri në formimin e një Qeverie të re.

Qeveria aktuale në detyrë e shkarkuar me mocion të mosbesimit nga ana e Kuvendit, nuk mund të ushtrojë kompetencat e njëjta apo të plota të një Qeverie e cila e ka mbështetjen e Kuvendit. Si rrjedhojë, mund të thuhet që Qeveria në detyrë nuk mund të ushtrojë kompetencat e parapara për përpilimin dhe zbatimin e politikës së jashtme. Andaj, nuk mund të ushtrojë funksionet e saja në kuadër të një procesi të bisedimeve me Serbinë, duke negociuar apo duke marr përsipër angazhime në emër të shtetit të Kosovës. Bisedimet me Serbinë duhet të zhvillohen kur Kosova të ketë një Qeveri me legjitimitet të plotë për të ushtruar funksionet e saj kushtetuese.

2. Mandati i Presidentit të vendit buron nga Kuvendi, dhe është i pavarur nga mandati i institucioneve të tjera. Presidenti (neni 84.10) udhëheq politikën e jashtme të vendit, ndërsa Qeveria (neni 93.1) propozon dhe zbaton politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit. Pra, Kushtetuta parasheh bashkërendim institucional lidhur me politikën e jashtme, rrjedhimisht në procesin e bisedimeve me Serbinë. Duke konsideruar që Qeveria në detyrë nuk mund të përmbush funksionet e saja të plota në fushën e politikës së jashtme, kjo ndikon edhe në përmbushjen e funksioneve të Presidentit. Presidenti mund të vazhdoj të përfaqësoj Kosovën në arenën ndërkombëtare por në mungesë të një Qeverie me funksione të plota kushtetuese, Presidenti nuk mund të ndërmarr veprime të ndara në fushën e politikës së jashtme. Si rrjedhojë, nuk mund të mund të ketë zhvillim të bisedimeve me Serbinë, pa formimin e Qeverisë së re.

3. Aktgjykimi i gjykatës Kushtetutese KO43/19 lidhur me Ligjin nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, në pikën 98 të tij sqaron: “Nga teksti i neneve te elaboruara te Kushtetutes, rrjedh se institucionet e autorizuara ne fushen e politikes se jashtme sipas paragrafit 1 te nenit 93 dhe paragrafeve 1 dhe 9 te nenit 94 te Kushtetutes, jane Qeveria, Kryeministri ne keshillim me Presidentin”. Institucionet e vendit duhet të respektojnë obligimet e tyre kushtetutese dhe të ushtrojnë funksionet e tyre kushtetuese në kuadër të këtij procesi, si në situatën aktuale politike në vend ashtu dhe në të ardhmen.

(Kosova Sot Online)