Mblidhet Bordi i Telekomit i emëruar nga Kurti , priten shkarkime

  • 10 April 2020 - 15:06
Mblidhet Bordi i Telekomit i emëruar nga Kurti , priten shkarkime

Pak ditë pas emërimit nga Qeveria në detyrë, është mbledhur Bordi i Përkohshëm i Telekomit, me menaxhmentin në Postën e Kosovës.

Gjatë kësaj mbledhjeje sic raportojnë mediat , pritet të shkarkohet kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi dhe drejtori financiar, Armand Osaj.

Pjesë e kësaj mbledhjeje pritet të jetë edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

Ndërkaq pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë duke qëndruar afër objektit të Postës.

Merret vesh se policia ka shtuar praninë e saj për shkak të situatës së tensionuar në këtë mbledhje.

Raportohet se disa pjesëtarë të Policisë kanë hyrë brenda objektit të Postës.“Ju njoftojmë se aktualisht derisa po mbahet mbledhja e Bordit të Përkohshëm me menaxhmentin në Postën e Kosovës kanë ardhë policia dhe janë vendosur edhe brenda objektit edhe para hyrjes së Postës. Nuk e dimë arsyen për një veprim të tillë”, thuhet në njoftimin e Postes se Kosovës.

Media ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Baki Kelanin për të marrë informacione rreth arsyes pse është rrethuar Posta, por ai nuk ka dhënë detaje.

“Policia e Kosovës, bazuar në detyrat dhe autorizimet e saja ligjore, ofron siguri dhe asistencë policore, ndaj të gjithë  qytetarëve, pronave publike dhe atyre private”, ka thënë Kelani.

(Kosova Sot Online)