Vitia kërkon mirëkuptimin e kryetarëve: Vendimet e ardhshme do të merren në koordinim me komunat

  • 14 April 2020 - 19:20
 Vitia kërkon mirëkuptimin e kryetarëve: Vendimet e ardhshme do të merren në koordinim me komunat

Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë së qeverisë në detyrë, Arben Vitia, sot u takua me kryetarin e Asciacionin e Komunave, Xhafer Gashin, njëherit Kryetar i Komunës së Obiliqit. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryetari i AKB’së, Agim Shahini, drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës Sazan Ibrahimi, si dhe Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së Rozafa Ukimeraj.

Në atë takim Vitia kërkoi mirëkuptimin e kryetarëve të komunave rreth masave të fundit parandaluese që i mori qeveria në detyrë.

Vitia tha se ka qenë e pamundur që të ketë konsultime paraprake me kryetarët e komunave. Ai gjithashtu tha se secili vendim i ardhshëm do të merret në koordinim të plotë me Komunat dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë:

Sot, me ftesë të Ministres së Administrimit të Pushtetit Lokal, është mbajtur takimi i përbashkët me Ud Kryetarin e Asociacionit të Komunave z.Xhafer Gashi, njëherit Kryetar i Komunës së Obiliqit  dhe  Ministrin e Shëndetësisë z.Arben Vitia. Në takim ishin të pranishëm edhe Kryetari i AKB-së z.Agim Shahini, Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës z.Sazan Ibrahimi, si dhe Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së zj.Rozafa Ukimeraj.

Takimi ka pasur për qëllim qartësimin, si dhe koordinimin më të mirë ndër-institucional ndërmjet Qeverisë dhe Komunave. Në takim janë qartësuar rekomandimet e IKSHP-së, si dhe domosdoshmëria e lartë të marrë vendime dhe masa të reja nga Ministria e Shëndetësisë, me qëllim të menaxhimit të situatës emergjente për shkak të parandalimit të përhapjes së COVID-19. Me këtë rast,  është sqaruar se për shkak të kohës së shkurtër dhe domosdoshmërisë për të marrë vendimet të menjëhershme, ka qenë i pamundur një konsultim gjithëpërfshirës me Kryetarët e Komunave dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, lidhur me masat e reja të marra nga MSh.

Ministrja Redzepi ka shprehur gatishmërinë e lartë dhe ka siguruar Kryetarin Gashi, se veprimet e mëtutjeshme lidhur me situatën emergjente, që kanë efekt në implementimin e komunave, në secilin rast do të konsultohen paraprakisht me Kryetarët e Komunave dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Ministri Vitia, ka kërkuar mirëkuptimin e të gjithë Kryetarëve të Komunave dhe sqaroi se lidhur me vendimet e fundit, për shkak të situatës dhe nevojës së lartë për të ndërmarrë veprime të shpejta në trajtimin e situatës, ka qenë e pamundur që të ketë konsultime paraprake me Kryetarët e Komunave. Ai ka shprehur konsideratat më të larta për punën e Kryetarëve sa i përket menaxhimit të situatës emergjente dhe njëkohësisht ka siguruar Kryetarin Gashi, se secili vendim i ardhshëm do të merret në koordinim të plotë me Komunat dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Kryetari Gashi, ka paraqitur nevojën për një koordinim sa më të mirë ndërmjet Komunave dhe Qeverisë, e poashtu ka kërkuar që Komunat të cilat planifikohet të vendosen si zonë e karantinës, të konsultohen dhe informohen paraprakisht. Gjithashtu, ai i siguroi Ministrat përkatës se të gjitha rekomandimet dhe vendimet që janë marrë  nga MSH do të implementohen në të gjitha Komunat, në koordinim të plotë me të gjithë Kryetarët dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Ministrja e MAPL-së znj. Redëepi dhe Ministri i Shëndetësisë z.Vitia, edhe njëherë ri-konfirmuan gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre për të mbështetur Komunat në përballimin e situatës emergjente.

(Kosova Sot Online)