Dy këshilltarë të Kurtit shpërndajnë informacion se janë 15 të vdekur me COVID në Kosovë

  • 18 April 2020 - 15:49
 Dy këshilltarë të Kurtit shpërndajnë informacion se janë 15 të vdekur me COVID në Kosovë

Dy këshilltarët e Kryeministrit të shkarkuar Kurti, Elvis Hoxha dhe Shkëlzen Gashi, kanë shpërndarë një foto ku thuhet se në Kosovë kanë vdekur 15 persona me COVID-19. Këtë informacion të pavërtetë e kanë publikuar kur kanë shpërndarë një qëndrim të Avdullah Hotiti i cili dikur kërkonte shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe tash po kërkon zbutjen e masave për bizneset.

Kur një pjesë e BE’së po kërkon të zbuten masat e karantinës, edhe në Kosovë kanë filluar kërkesa të tilla. I fundit është Avdullah Hoti, ish-Zëvendëskryeministër i Parë në Qeverinë e shkarkuar Kurti.

Mirëpo, ky qëndrim i Hotit s’u ka pëlqyer këshilltarëve të Kryeministrit Kurti i cili u rrëzuar në Parlament me votat e 2/3 të deputetëve.

Kështu, filozofi Elvis Hoxha dhe këshilltari tjetër Shkëlzen Gashi kanë shpërndarë informacionin se 15 qytetarë të Kosovës kanë vdekur nga COVID-19.

Nuk dihet se pse kanë shpërndarë një  shifër të tillë.

Deri më tash nga COVID-19 në Kosovë kanë vdekur 12 persona, janë shëruar 84 dhe janë prekur 480 gjithsej.

Në gjithë botën me virusin korona janë mbi 2 milion njerëz, prej të cilëve 154 mijë kanë vdekur e 570 mijë të tjerë janë shëruar. Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës.

E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin. Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.

Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit. Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.

Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore.

(Kosova Sot Online)