Kurti me fjalë prekëse për vdekjen 40-vjeçares në javën e 28 të shtatëzënisë

  • 21 April 2020 - 16:50
 Kurti me fjalë prekëse për vdekjen 40-vjeçares në javën e 28 të shtatëzënisë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti u ka shprehur ngushëllime familarëve të shtatzënës nga Gjakova, e cila ka vdekur sot pas infektimit me COVID-19.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka thënë se kjo është një humbje shumë e madhe, derisa u ka bërë thirrje qytetarëve që të iu përmbahen masave dhe rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës

“V.P., nënë e një vajze dhe një djali, ishte në pritje të fëmijës së saj të tretë. Ajo ishte në javën e 28 të shtatzënisë. Por, fatkeqësisht, ajo nuk pati rastin që ta përqafojë foshnjën e saj as edhe njëherë të vetme. Edhe pse shumë prej nesh nuk e njohëm bashkëqytetaren tonë, ky rast sot na pikëlloi tej mase.

Jam njoftuar që gjendja e saj ka qenë e rënduar prej kur është pranuar në Klinikën Infektive në Prishtinë me 15 prill. Përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor dhe kujdesit ndaj tyre, nëna dhe fëmija ndërruan jetë”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, një grua nga Gjakova ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm si pasojë e infektimit me Covid-19.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë në Gjakovë, Ferdinand Kolaj.

Pacientja gjendej në Klinikën Infektive të QKUK-së qe disa ditë në mjekimin intenziv.

“Sot kemi marrë një informacion se një paciente e jona nga Gjakova ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive të QKUK-së. Ajo sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërruar jetë”, ka thënë Kolaj.

(Kosova Sot Online)