Spanja shënon 378 të vdekur nga virusi për 24 orë, ka shpresë për dalje nga kriza

  • 25 April 2020 - 13:47
Spanja shënon 378 të vdekur nga virusi për 24 orë, ka shpresë për dalje nga kriza

Gazetat spanjolle, El Pais dhe El Mundo, kanë raportuar se gjatë 24 orëve të kaluara në Spanjë janë shënuar 378 viktima të koronavirusit.

Shifra e re paraqet rritje të lehtë të numrit të viktimave në krahasim me rastet fatale që u raportuan të premten – 367. Numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 22,902.

Ndërkohë u shënuan edhe rreth katër mijë raste të reja të infektimeve dhe numri i përgjithshëm i rasteve shkoi në 223,759 persona të prekur.

Agjencia “Reuters” raportoi se Ministria e Shëndetësisë e Spanjës nuk ka mundur që t’i konfirmojë menjëherë shifrat e raportuara nga gazetat vendore.

Sidoqoftë, me këto shifra Spanja mbetet në vendin e dytë në botë sa i përket rasteve të infektimeve, pas Shteteve të Bashkuara, dhe në vendin e tretë për numrin e viktimave, pas ShBA-së dhe Italisë.

Qeveria spanjolle ka filluar t’i lehtësojë masat kufizuese, përfshirë lejimin e fëmijëve që të dalin jashtë, por i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i ndajë 1.5 trilion euro për ta rimëkëmbur ekonominë e bllokut.

(Kosova Sot Online)