E thotë analisti Qarri: Ja pse fillimi vitit 2021 do të jetë vit i zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare

  • 02 May 2020 - 14:42
E thotë analisti Qarri: Ja pse fillimi vitit 2021 do të jetë vit i zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare

“Kosova kurrsesi nuk duhet pranojë, madje as që mund të lejojë në asnjë mënyrë, sepse nuk e meriton si shtet i lirë e demokratik dhe është nënçmimi më i madh e i paprecedent, për këtë vend dhe popull, që edhe në shekullin XXI, njëjtë si në kohën e komunizmit jugosllav kur udhëhiqte Isa Mustafa e Rrahman Morina, shteti ynë edhe 21 vite pas çlirimit, të udhëhiqet nga Goran Rakiq dhe Avdullah Hoti, një njeri i cili jo vetëm që nuk ishte as kandidatë për kryeministër, por nuk është as në dhjetëshen e parë të deputetëve, doli vetëm i 12-ti me radhë dhe për turpin e tij, ka marrë vetëm 26 mijë vota në gjithë Kosovën. Ndërsa sa i takon PDK-s, sinjalet e përafrimit të saj me LVV-n, janë hetuar qysh në "yryshin" e parë të turpshëm të jugo nostalgjikut të pështirë Isa Mustafa,kur mori turr në theqafje, nga ngutja për të rrëzuar Qeverinë Kurti, me ç`rast PDK me gjithë votimin e mocionit mbajti qëndrim më të rezervuar dhe nuk i vazhdoi akuzat e përmasave çmendurake si ato të AAK-s dhe kryesisë së vjetruar të LDK-s, ndaj Qeverisë Kurti”, thotë analisti politik Gani Qarri.

“Edhe vet Glauk Konjufca në fillim të Prillit pati deklaruar se sidomos gjatë muajit mars LDK e Isa Mustafes, la shije aq të keqe sa shkoi deri atje që ta keqpërdorë edhe zotin Grenell për rrëzimin Qeverisë Kurti,gjë të cilën populli i vetëdijshëm i Kosovës nuk duhet ta harrojë,përderisa PDK, si në qëndrime ashtu edhe në deklarime dhe konferenca për shtyp, ishte shumë më e përmbajtur se LDK-ja, ndaj dhe LVV, në të ardhmen nuk përjashton mundësinë për koalicion me këtë parti. Përkthyer në të kuptuarit politik, po këtë domethënie kanë edhe deklarimet aktuale të Kadri Veselit, i cili pikërisht në ditën e nënshkrimit të koalicionit kundër kushtetues LDK-AAK-NISMA- AKR deklaroi se PDK-ja nuk e voton këtë koalicion të ri Qeverisës por kërkon zgjedhje të reja, njëjtë siç këmbëngul edhe VV. Për aq më tepër, për të sabotuar votimin e kësaj Qeverie mashtruese të Avdullah Hotit, i cili nuk gjendet as në dhjetëshen e parë por në zgjedhjet e 6 tetorit, doli vetëm i 12-ti me radhë dhe ka marrë vetëm 26 mijë vota në gjithë Kosovën, Kadri Veseli ka edhe marrëveshje me të gjithë deputetët e grupit të tij parlamentar, që

Image
Gani Qarri

“Asnjë deputet i PDK-së të mos e votojë këtë qeveri të mashtrimeve. Pikërisht LDK dhe Isa Mustafa janë dhe mbeten përgjegjësit kryesor për krijimin e kësaj gjendje edhe në kohë pandemie, ndaj dhe Kadri Veseli me të drejtë përsëritë kërkesën që domosdoshmërish vendi të shkojë në zgjedhje të reja demokratike pas pandemisë., ashtu siç deklaroi gjatë vizitës së tij në Hanin e Elezit.Përfundimisht duket se gjithë kjo lojë e Thaçit me letra të hapura e të mbyllura dhe dekrete ende të pa bëra publike,si dhe uvertura e Isa Mustafës për të formuar qeveri me kandidatin më të pavotuar për kryeministër në gjithë Kosovën e pasluftës, që nga projeksioni i rrëzimit të Qeverisë Kurti, të ketë qenë vetëm një skenar i mirë hartuar, mes Thaçit e Veselit për të fituar kohë deri në zgjedhjet e reja, duke bërë fushatë ne teren dhe blerë vota për PDK-në në mënyrë që të kompensohet sado pak humbja e 6 tetorit që e radhiti atë parti në vendin e tretë. Ndaj dhe është shumë e pritshme që nëse jo gjysma e këtij viti atëherë gjithsesi fillimi vitit 2021,të jetë vit i zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare, pasi që siç dihet viti që vjen, është edhe vit i zgjedhjes së presidentit të Kosovës, kur mbaron mandati i parë i Hashim Thaçit, dhe vijnë në shprehje kalkulimet e tij për ta marr edhe mandatin e dytë”, thotë Gani Qarri.

(Kosova Sot Online)