Mblidhet Komisioni për Shëndetësi, diskutojnë për vdekjen e 26-vjeçarit dhe situatën me pandeminë

  • 05 May 2020 - 16:23
 Mblidhet Komisioni për Shëndetësi, diskutojnë për vdekjen e 26-vjeçarit dhe situatën me pandeminë

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës, i drejtuar nga Albena Reshitaj, në mbledhjen e sotme diskutoi për situatën aktuale pandemike si pasojë e Covid 19, si dhe për masat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë.

U diskutua gjithashtu edhe për vendimet e Gjykatës Kushtetuese përkitazi me masat kufizuese, të ndërmarra nga kjo ministri.

Kryetarja e komisionit, Reshitaj bëri një paraqitje të situatës aktuale në Kosovë rreth pandemisë, si dhe ecurisë së zhvillimeve lidhur me menaxhimin e saj.

Ajo theksoi nevojën për një informim të saktë lidhur me rastin e vdekjes së të riut nga Gjilani, në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, të kthyer në qendër karantinimi, rast ky i cili, siç tha ajo, ka nevojë për një hetim nga institucionet përkatëse.

Në vazhdim, deputetët pjesëmarrës, gjatë diskutimeve të tyre trajtuan të dyja pikat njëherësh dhe pas përfundimit të debateve u arrit në konkluzionin që të organizohet një takim me përfaqësuesit e institucioneve relevante, për një informim sa më të saktë lidhur me vdekjen e të riut gjilanas.

(Kosova Sot Online)