Papa e vlerëson lart punën e infermierëve në luftën kundër koronavirusit

  • 12 May 2020 - 13:35
Papa e vlerëson lart punën e infermierëve në luftën kundër koronavirusit

Papa Françesku e ka vlerësuar lart punën e infermierëve në mbarë botën, duke thënë se kriza e koronavirusit ka treguar se sa jetike është shërbimi që e ofrojnë ata. Ai gjithashtu bëri thirrje që shtetet të investojnë më shumë në shëndetësi.

“Çdo ditë jemi dëshmitarë të guximit dhe sakrificës së punëtorëve shëndetësorë dhe të infermierëve në veçanti, të cilët me profesionalizëm, vetësakrifikim, përgjegjësi dhe dashuri i ndihmojnë njerëzit e prekur nga virusi, madje edhe duke e rrezikuar jetën e vet”, tha Papa Françesku në Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve.

Ai shtoi se pandemia i ka ndihmuar botës që ta rizbulojë rolin themelor të infermierëve në sistemin shëndetësor dhe vlerësoi se ata meritojnë vlerësim më të lartë e kushte më të mira të punës.

Papa theksoi se pandemia i ka vënë në pah edhe pikat e dobëta të shëndetësisë në disa shtete, shkruan “Reuters”.

“Për këtë arsye, do të kërkoja nga liderët e kombeve në mbarë botën që të investojnë në shëndetësi si e mira kryesore e përbashkët, duke punësuar më shumë infermierë për të siguruar kujdes ndaj të gjithëve, me respekt për dinjitetin e secilit person”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)